Shërbimet Sekrete, Obama emëron drejtor Joseph Clancy

18/02/2015 00:00

Presidenti Barack Obama, duke lënë mënjanë rekomandimin e një paneli të administratës për të emëruar një person të jashtëm si drejtor të ri të Shërbimeve Sekrete, ka zgjedhur ish-shefin e sigurisë së tij personale për të kryesuar agjencinë e goditur së fundit nga disa episode jo të këndshme.

Lajmi u bë i ditur nga zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë këtë të mërkurë, duke njoftuar se Obama planifikon të emërojë Joseph Clancy në këtë post, 4 muaj pasi ky i fundit mori rolin e drejtorit të përkohshëm, pas riorganizimeve të shumta mes radhëve të Shërbimeve Sekrete.

Kjo përzgjedhje do të vendosë një njeri të besuar në krye të agjencisë, e cila duhet të vijojë tashmë punën e saj përtej serisë së incidenteve shqetësuese, përfshi edhe shkeljen e vjeshtës së kaluar, kur një person i bezdisshëm mundi të hynte brenda Shtëpisë së Bardhë.

Që kur mori rolin e drejtorit të përkohshëm, Clancy ka qenë një i pranishëm i dukshëm në terrenet e Shtëpisë së Bardhë, por edhe nëpër rrugë kur Obama udhëton, përfshi këtu edhe udhëtimin e fundit të Obamës në Indi.

Vetëm pak orë përpara agimit të së mërkurës, Clancy është parë të shqyrtonte ambientet jashtë portës së Shtëpisë së Bardhë, gardhi i të cilët u dëmtua nga “agresori” i shtatorit të kaluar, i cili mundi të hynte më pas përmes dyerve të North Portico.

Ai episod bëri që të ndërmerreshin masa të reja sigurise përreth rezidencës së ekzekutivit, por nisën edhe seanca dëgjimore në Kongres që vunë në dyshim praktikat dhe kulturën e agjencisë.

“Stuhia” e atëhershme çoi në dorëheqjen e Julia Pierson, ish-drejtoreshë e agjencisë, por edhe dorëheqjen e shumë zyrtarëve të tjerë të lartë. Një hetim i zhvilluar nga departamenti “mëmë” i Shërbimeve Sekrete i rekomandoi Obamës të emëronte dikë të huaj në krye të agjencisë, duke cituar nevojën për ide të reja që mund të çonin në forcimin e sigurisë.

“Është zhgënjyese që presidenti injoroi rekomandimin nga paneli i pavarur, i cili ishte ngritur nga Sekretari Jeh Johnson i Departamentit për Sigurinë Kombëtare, për të zgjedhur një drejtor nga jashtë Shërbimeve Sekrete”, tha republikani Jason Chaffetz, kreu i Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Ai panel e bëri të qartë si kristali, se vetëm një drejtor nga jashtë agjencisë do të mund të përmbushte nevojat dhe kërkesat e sotme të agjencisë, dikë me perspektivë të re, të çliruar nga aleancat apo besnikëritë e vjetra, si dhe pa lidhje me atë që vazhdimisht është përshkruar si ‘rrjeti i djemve të mirë të vjetër’”, tha Chaffetz.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel