Nigeri, ushtria vret mbi 300 militantë të Boko Haram

18/02/2015 00:00

Mbi 300 militantë të fraksionit Boko Haram u vranë në një seri operacionesh ushtarake tokësore e ajrore në veri-lindje të Nigerisë, bëri të ditur ushtria vendase.

Gjatë operacionit, të kryer në shtetin Borno, dy ushtarë humbën jetën dhe 10 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Zëdhënësi i Ministrisë nigeriane të Mbrojtjes deklaroi se një numër militantësh të Boko Haram janë kapur gjithashtu nga ushtarët, të cilët kanë sekuestruar edhe armë e pajisje.

Numri i militantëve të vrarë nuk është verifikuar ende në mënyrë të pavarur, por mësohet se gjatë operacionit, në një sulm ajror, humbën jetën edhe 37 persona në Nigerin fqinj.

Lajmin e bënë të ditur autoritetet lokale. Viktimat ishin duke marrë pjesë në një ceremoni mortore në fshatin Abadam, që ndodhet në kufi me Nigerinë, kur një avion i paidentifikuar filloi të hidhte bomba.

Një zëdhënës ushtarak tha për agjencinë e lajmeve AFP se sulmet ajrore goditën edhe një xhami në fshatin në fjalë.

Nënkryetari i bashkisë së fshatit tha për BBC se avioni hodhi tre bomba, njëra prej të cilave ra në mes të një grupi njerëzish që po ndiqnin ceremoninë.

Sipas të njëjtit burim, mbi 20 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur gjatë incidentit. Ende nuk është e qartë se e kujt është përgjegjësia për bombardimin, por qeveria Nigeriane ka mohuar të ketë gisht në të.

“Një gjë e tillë nuk është në dijeninë time dhe nuk është komunikuar nga asnjë prej njerëzve tanë në terren”, deklaroi zëdhënësi i forcave ajrore nigeriane.

Shteti i Nigerit ka qenë objekt bombardimesh në të kaluarën, krime për të cilat është fajësuar Boko Haram, që nga nisja e rebelimit të tij brutal.

Top Channel