SHBA, administrata vendos për eksportin e dronëve

18/02/2015 00:00

Administrata amerikane ka njoftuar se do të fillojë shitjen e avionëve të telekomanduar luftarakë për vendet aleate.

Deri tani vetëm Mbretëria e Bashkuar është lejuar të blejë dronë të armatosur, ndërkohë që vendet e tjera kanë avionë të çarmatosur.

Vendet që do të blejnë objektin, ndër mjetet më në modë të ushtrive të superfuqive botërore, duhet të nënshkruajnë marrëveshje se do t’i përdorin ata vetëm në raste lufte dhe se Shtetet e Bashkuara do t’i monitorojnë.

Ndryshimi i politikës së administratës amerikane vjen pasi Kina ka eksportuar dronë të saj për të paktën nëntë vende të botës.

Në vendimin e ri e të publikuar, Departamenti i Shtetit nuk saktëson se cilat vende do të konsiderohen të përshtatshme për shitjen e dronëve, por burime anonime thanë për mediat amerikane se do të shqyrtohen kërkesat e bëra nga Italia dhe Turqia.

Ligjvënësit amerikanë gjithashtu po shqyrtojnë mundësinë e shitjes së dronëve të çarmatosur të tipit “Predator” për Emiratet e Bashkuara Arabe.

Por disa dronë, me një rreze prej 300 kilometrash dhe që mbajnë ngarkesa që arrijnë deri në 500 kilogramë, do të vazhdojnë të jenë të ndaluar për eksport, përveç rasteve kur bëhet fjalë për rrethana të jashtëzakonshme.

Dronët e armatosur kanë qenë një mjet jetik për SHBA në luftën kundër terrorizmit, duke eleminuar përmes tyre militantë të Al Kaedës dhe të grupeve të tjera xhihadiste, por që janë kritikuar pasi kanë vrarë edhe civilë të pafajshëm.

Ndryshimi i politikës së Uashingtonit vjen në përfundim të një ekzaminimi 2-vjeçar të çështjes. Departamenti i Shtetit thotë se do të lejojë shitjen e avionëve në fjalë por do të sigurohet që ata të përdoren në mënyrë ligjore dhe me përgjegjshmëri.

Top Channel