ISIS: Mesdheu do të kthehet në “detin e kaosit”. 500 mijë emigrantë drejt Europës nga Libia

18/02/2015 00:00

ISIS ka kërcënuar së fundi se do të “përmbytë” Europën me rreth 500 mijë emigrantë nga Libia, në një sulm “psikologjik” kundër Perëndimit.

Lajmi është bërë i ditur gjatë së mërkurës, pasi disa transkripte të telefonatave të përgjuara të publikuara tashmë në Itali pretendojnë se japin prova të mjaftueshme se ISIS po kërcënon të dërgojë 500 mijë emigrantë njëkohësisht në det të hapur përmes qindra barkave, me atë që mund të konsiderohet si “armë psikologjike” kundër Europës, nëse do të ndërhyhet ushtarakisht ndaj tyre në Libi.

Shumë prej “emigrantëve” do të viheshin në rrezik për t’u mbytur, pasi shërbimet e kërkim-shpëtimit të Europës do ta kishin të pamundur të përballeshin me këtë fluks të rrezikuarish. Por, autoritetet i frikësohen edhe një tjetër fakti se, nëse një numër i tillë emigrantësh do të mbërrinte në Europë, qytetet europiane do të binin pre e trazirave.

Në fakt, militantët shpresojnë të “çimentojnë” kontrollin e tyre në Libi, e përmes saj edhe në detin Mesdhe, të maskuar si refugjatë, sipas letrave të para nga grupi antiterror “Quilliam”, siç raportohet prej “Telegraph”.

Ministri italian i Brendshëm, Angelino Alfano, tha gjatë së hënës se Libia ishte “prioriteti absolut” dhe këmbënguli se “nuk duhet humbur asnjë minutë” nga komuniteti ndërkombëtar për të ndërhyrë. “Nëse milicitë e kalifatit do të avanconin më me shpejtësi sesa vendimi i komunitetit ndërkombëtar, atëherë si mund ta shuajmë zjarrin në Libi dhe të ndalim fluksin e emigrantëve? Jemi përballë një rreziku të një eksodi të paprecedent”, tha ai.

Më shumë se 170 mijë emigrantë kanë mbërritur me varka në Itali gjatë vitit të kaluar. Që prej të premtes së kaluar, rreth 4 mijë janë shpëtuar.

Përhapja e militantizmit në Libi ka qenë e parashikuar edhe nga lideri i ekzekutuar i vendit, Muammar Gaddafi, i cili paralajmëroi se Mesdheu do të bëhej “deti i kaosit”. ISIS ende nuk kishte arritur rezultate të frikshme dhe nuk kishte depërtuar në Libi, kur Gaddafi bëri këtë profeci gjatë intervistës së tij të fundit në mars të vitit 2011.

Por, trazirat e “pranverës arabe” të atij viti shkaktuan një luftë civile në Libi dhe forcat opozitare të mbështetura nga NATO rrëzuan Gaddafin në një grusht shteti të dhunshëm, vetëm 5 muaj pas parashikimit të tij ogurzi.

Në tetor 2011, forcat besnike të qeverisë së tranzicionit në vend gjetën liderin e rrëzuar të fshehur në një kanal nën rrugë në Sirte dhe e vranë atë. 4 vjet më pas, Shteti Islamik mori peng 21 egjiptianë të krishterë, kopt, në Sirte (vendlindjen e Gaddafit) përpara sesa të lëshonin disa pamje të frikshme të ekzekutimit të tyre me prerje koke në brigjet e Mesdheut, vetëm 220 milje në jug të Italisë. Në atë video, terroristët paralajmëruan se ata “do të pushtonin edhe Romën”.

Në shenjë kundërpërgjigjeje, shefi italian i Sigurisë ka miratuar planet për të zbritur 4800 ushtarë nëpër rrugët e vendit, për të qenë të gatshëm të parandalojnë sulmet terroriste. Deklarata e Ministrisë së Brendshme thoshte se do të ruheshin “vendet më të ndjeshme” deri të paktën nga qershori, ndërkohë që 500 ushtarë do të dislokohen vetëm në Romë, përveç rojeve aktuale që ruajnë rezidencat diplomatike, sinagogat dhe shkollat hebraike.

Trupat ushtarake priten të dërgohen gjithashtu edhe nëpër vendet turistike, veçanërisht në vendet arkeologjike dhe monumentet e trashëgimisë kulturore.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel