SHBA-Greqisë: Marrëveshje, ndryshe pasoja; Athina: Thirrje edhe për Evropën

18/02/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë ndërhyrë në përpjekje për të zhbllokuar ngërçin e bisedimeve për rifinancimin e borxhit grek.

Sekretari i Thesarit, Jack Lew i ka telefonuar ministrit helen të Financave, Yanis Varoufakis, duke e paralajmëruar mbi rrezikun e një “vështirësie imediate” nëse nuk arrihet një marrëveshje.

“Është momenti të kalohet tek faktet. Duhet gjetur një shteg konstruktiv në bashkëpunim me FMN-në dhe ministrat evropianë të Financave”, i ka thënë Lew homologut grek.

Gjatë bisedës telefonike, shefi amerikan i Thesarit ka theksuar gjithashtu se pasiguria nuk është pozitive për Evropën.

Ai e ka vënë theksin tek fakti që një marrëveshje mes Greqisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Evropës duhet të bazohet në faktin se ekzistojnë mundësitë për të bërë hapa përpara si në rritjen ekonomike ashtu edhe në atë të reformave.

Më tej, Lew e ka siguruar homologun grek se do të bëjë gjithçka për të inkurajuar kreditorët ndërkombëtarë të Greqisë për të arritur një marrëveshje.

Nga ana e tij, Varoufakis e ka lexuar deklaratën e zyrtarit amerikan si një apel jo vetëm për Greqinë, por edhe për gjithë Evropën.

“Sekretari amerikan i Thesarit më tha me forcë se një dështim në arritjen e marrëveshjes do të dëmtonte Greqinë, por shtoi se do të dëmtonte edhe vetë Evropën. Pra, ishte një paralajmërim për të dyja palët”, ka shkruar ministri helen në profilin e tij në rrjetin social Twitter.

Top Channel