PD vazhdon me akuzat ndaj qeverisë: Ka bërë pakt me krimin

18/02/2015 00:00

Partia Demokratike ka reaguar pasditen e së mërkurës edhe ndaj deklaratave të deputetit të PS, Taulant Balla, duke i mëshuar qëndrimit të saj se qeveria po bashkëpunon me krimin.

“Ka dy mënyra se si mund të trajtohet krimi në vend. Njëra mënyrë është të luftohet pa ndërprere, pa kompromis dhe pa mbajtur anë tjetër përveç ligjit. Tjetra është t’i lëshosh terren e të bësh pakt me të. Qeveria dhe Edi Rama nuk kanë zgjedhur ta luftojnë krimin dhe kjo dëshmohet nga ngjarjet tronditëse që po ndodhin çdo ditë. Ata kanë zgjedhur të luftojnë dhe sulmojnë opozitën, që po denoncon çdo ditë pasigurinë dhe rënien e rendit, pra po i jep zë asaj që përjetojnë çdo ditë qytetarët”, thuhet në një komunikatë.

Në dokumentin e saj, partia më e madhe e opozitës i është referuar edhe prononcimit të Ballës, që aludonte për lidhje mes kryetarit të PD Basha me eksponentin e njohur të botës së krimit, Emiliano Shullazi.

“Si kryeministër i vendit, Edi Rama do të duhej ta dënonte kërcenimin që Shullazi i bëri kryetarit të opozitës. Por ai zgjodhi ta bekojë këtë ngjarje të rëndë duke heshtur e duke mos u distancuar. Duhet të kujtojmë këtu se kërcënimi i Shullazit erdhi ditën kur ky person përfitoi të gjitha shërbimet qeveritare, nga pastrimi i provave e zonës së krimit, deri tek shoqërimi në banesë. Mosdistancimi është po aq i rëndë sa edhe kërcënimi. Mosdistancimi dhe mosdënimi i kësaj ngjarje nga Edi Rama është baraz me daljen zot të kërcënimit, është baraz me mbrojtjen e kërcënuesit. Sot, me papagallin e radhës, ai përpiqet edhe t’i rregullojë biografinë kërcenuesit”, thuhet më tej në komunikatë.

Top Channel