Takimi i nivelit të lartë kundër ekstremizmit, Obama: Politika të reja për të frenuar të rinjtë të radikalizohen

18/02/2015 00:00

Në fundin e takimit treditor të Uashingtonit për luftën kundër terrorizmit, presidenti Barack Obama bëri thirrje për një përpjekje globale për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm. Obama u kërkoi të gjithë vendeve të botës për të qenë më vigjilentë me personat, të cilët tentojnë për t’u larguar në Lindjen e Mesme, pasi këta të fundit shihen si “karburanti” që furnizon ISIS dhe Al Kaedën.

Duke kujtuar sulmet e fundit terroriste në mbarë botën, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se, njerëzit apo sektet fetare duhet të denoncojnë të gjitha ankesat që kanë nga kërcënimi terrorist.

“Kur njerëzit ndihen të shtypur dhe të drejtat tyre u janë mohuar, veçanërisht në vija sektare apo linja etnike, duhet të reagojmë. Kur ne heshtim, kjo heshtje merret si pajtim me dhunën dhe krijon një mjedis favorizues për  terroristët”, tha Obama.

Edhe njëherë në fjalën e tij, Presidenti u kërkoi komuniteteve në të gjithë botën, që të ofrojnë më shumë mundësi për të rinjtë, me qëllim që të mos tërhiqen nga propaganda e kalifatit islamik. Mënyrë tjetër për asgjësimin e rekrutimeve të reja është edhe luftimi i propagandës që ISIS bën në internet.

“Këta terroristë janë të dëshpëruar, sepse nuk dine sesi të prezantojnë veten. Por ne të gjithë kemi përgjegjësi për të hedhur poshtë idenë, se grupe si ISIS përfaqësojnë Islamin. Ata gënjejnë kur thonë se Perëndimi është në luftë me fenë Islame”, tha Obama.

Por ky takim për luftën kundër terrorizmit u pa me skepticizëm nga disa senatorë republikanë dhe analistë politikë. Senatorët Ted Cruz dhe Lindsay Graham e kanë kritikuar gjuhën, që Obama përdori për këtë temë delikate. Ndërsa sipas disa opinionistëve, ky takim u mbajt shumë vonë pas sulmeve xhihadiste nëpër Europë.

Ata thanë se kohëzgjatja e tij ishte shumë e shkurtër dhe konkluzioni i samitit rezulton të jetë pa masa konkrete, që do të vihen në zbatim. Sipas tyre, kjo nuk është koha për fjalë, por është koha për veprim.

*** “Jemi në luftë me ata që e keqpërdorin Islamin, jo me fenë vetë”. Ajo çfarë Barack Obama deklaroi përpara përfaqësuesve të 60 shteteve pjesëmarrëse në eventin treditor kundër ekstremizmit, që pason sulmet në Danimarkë e Francë, ishte ajo çfarë shumë myslimanë të thjeshtë donin të dëgjonin.

Bota, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë, duhet të përballet me ideologjitë që radikalizojnë njerëzit. Drejtuesit e grupeve të tilla militante, si ISIS dhe Al Kaeda, shtoi ai, nuk janë liderë fetarë por terroristë.

“Të lidhësh Shtetin Islamik dhe Al Kaedën me Islamin do të thotë të marrësh për të mirëqenë propagandën që bëjnë këto grupe. Në të gjithë globin ka myslimanë që nuk i mbështesin domosdoshmërisht taktikat e dhunshme të ISIS, por që blejnë nga ana tjetër nocionin e shitur prej tyre se Islami është “ndotur” nga vlerat europiane. Kjo i bën individët më të prirur drejt radikalizimit. Liderëve myslimanë u takon të bëjnë më shumë për ta diskretituar idenë se kombet tona janë të vendosura ta ndrydhin Islamin”, deklaroi Obama.

Samiti, ku marrin pjesë edhe ministrat e Brendshëm të Shqipërisë dhe Kosovës, Saimir Tahiri dhe Skënder Hyseni, vjen në një kohë tensionesh të larta në të dyja anët e Atlantikut.

Kanadaja përballet me shtim të kërcënimit nga radikalët islamikë, me dy ushtarë të vrarë nga sulmet e një personi të vetëm në muajin tetor dhe Europa që mbetet në gatishmëri të lartë pas masakrës në redaksinë e “Charlie Hebdo” në Paris, e së fundmi edhe vrasjet e kësaj fundjave në Kopenhagen.

Ideja e një konference të tillë erdhi pikërisht pas sulmeve në Kanada e Australi dhe u njoftua menjëherë pas episodeve të dhunës në Francë. Në sfondin e këtyre zhvillimeve, Shtëpia e Bardhë është kritikuar ashpër për faktin se refuzoi ta lidhte ekstremizmin e dhunshëm me fenë islame.

Por Obama zgjodhi të mos lëkundej nga qëndrimi i tij me argumentin e fortë se mohimi i legjitimimit fetar të terroristëve është pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për të frenuar radikalizimin e rekrutëve potencialë.

Parandalimi është fokusi i kësaj konference. Por kritikët mendojnë se tema e saj mund të jetë tepër e gjerë për të rezultuar në ndonjë aksion kuptimplotë.

Zyrtarët e administratës amerikane flasin për një plan-veprimi të cilin edhe ata vetë e përshkruajnë shumë vagët, më tepër si “katalizator” për reagim, sesa si rezultat konkret.

Top Channel