Libia kërkon heqjen e embargos së armëve

19/02/2015 00:00

Libia i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të heqë embargon e armëve për të pasur mundësinë e përballjes me militantët e Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera rebele.

Ministri i Jashtëm, Mohammed al-Dairi tha se kjo do të ndihmojë qeverinë për të ndërtuar ushtrinë dhe të luftojë terrorizmin e shfrenuar. Kërkesa e Libisë është mbështetur edhe nga Egjipti në një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të OKB-së të mërkurën.

Që prej vitit 2011, milicitë rivale kanë luftuar për kontroll në Libi. Situata e përkeqësuar e sigurisë ka shtuar frikën se grupe të ndryshme ndërluftuese në Libi mund të bashkohen me militantët e ISIS.

Dairi tha se Libia kishte nevojë për një “qëndrim vendimtar” nga komuniteti ndërkombëtar për të qenë në gjendje të përballet me kërcënimin nga ISIS.

Embargoja e armëve ndaj Libisë është vendosur në vitin 2011 pas kryengritjeve që rrëzuan Kolonel Muamar Gadafi.

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Sameh Shoukry ka mbështetur heqjen e embargos së armëve ndaj Libisë, duke thënë se ngjarjet që po ndodhin në këtë vend përbëjnë “një rrezik të madh”.

Megjithatë mediat ndërkombëtare shkruajnë se diplomatët perëndimorë do të kenë rezerva të forta në lidhje me heqjen e embargos së armëve për shkak të frikës së armët mund të bien në duart e grupeve të milicisë.

Top Channel