I burgosuri i Guantanamos fiton gjyqin në SHBA

19/02/2015 00:00

Një shtetas australian, ish-i burgosur në Guantanamo ka fituar gjyqin në Shtetet e Bashkuara, me një gjykatë që ka rrëzuar dënimin e mëparshëm për terrorizëm.

David Hicks, 39 vjeç, ishte shpallur fajtor në bazën amerikane në Kubë në vitin 2007 për mbështetje materiale të terrorizmit.

Por gjykata amerikane e ka rrëzuar vendimin me pretendimin se akuza nuk ishte një krim lufte dhe për rrjedhojë gjyqi nuk duhej zhvilluar në një gjykatë ushtarake.

Hicks u arrestua në Afganistan në vitin 2001, pasi kishte qëndruar në kampet e stërvitjes së Al Kaedës dhe ishte takuar me Osama bin Laden. Një zëdhënës i Pentagonit deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk do ta apelojnë vendimin.

Vendimi unanim i anëtarëve të jurisë ka kthyer mbrapsht atë që konsiderohej si një ndër sukseset e pakëta në gjykimin e të burgosurve të Guantanamos.

Në janar, një komision ushtarak amerikan hodhi gjithashtu poshtë dënimin e një ish-të burgosuri nga Sudani, Noor Mohammed, i cili bëri kërkesë për një marrëveshje, pasi përballej me të njëjtat akuza sikundër Hicks.

Në një konferencë shtypi të mbajtur në Sidnej, David Hicks tha se e priste prej vitesh një vendim të tillë. “Është një lehtësim, pasi tani gjithçka mori fund”, deklaroi ai.

39-vjeçari tha se nuk do të kërkojë që autoritetet amerikane t’i kërkojnë ndjesë zyrtare, por që të kompensohet për trajtimin mjekësor për të marrë veten nga torturat.

Top Channel