Argjentinasit në protestë: Të zbardhet vrasja e prokurorit

19/02/2015 00:00

Qindra mijëra persona kanë marrë pjesë në një marshim në kryeqytetin argjentinas, Buenos Aires, një muaj nga vdekja e prokurorit Alberto Nisman.

Protesta ishte thirrur nga prokurorët federalë dhe në të morën pjesë edhe familjarë të Nisman dhe politikanë të opozitës. Ata sfiduan shiun e rrëmbyeshëm për të kërkuar drejtësi për prokurorin e vrarë, që po hetonte qeverinë.

Ai u gjet i vdekur në apartamentin e tij më 18 janar. Ende nuk dihet nëse ai vrau veten apo e vranë. Nisman po hetonte sulmin terrorist të ndodhur në vitin 1994 në Argjentinë, në lagjen hebraike të Buenos Airesit.

Prokurorët që morën pjesë në marshimin e heshtur kërkuan një hetim të plotë për humbjen e kolegut të tyre. Ish-bashkëshortja e zotit Nisman, gjyqtarja federale Sandra Arroyo Salgado dhe dy vajzat e tyre iu bashkuan manifestimit që zgjati thuajse dy orë.

Protesta të ngjashme u zhvilluan edhe në qytete të tjera të vendit. Edhe argjentinasit që jetojnë në Spanjë, Francë, Izrael dhe vende të tjera u mblodhën gjithashtu për të kërkuar drejtësi për zotin Nisman.

Nga ana e tyre, autoritetet argjentinase e cilësuan marshimin si një lëvizje politike për të dobësuar pozicionin e qeverisë.

Nisman u gjet i pajetë në shtëpinë e tij me një plumb në kokë dhe me armën që ndodhej pranë tij. Disa ditë më parë ai kishte publikuar një raport prej 300 faqesh në të cilin akuzonte presidenten Cristina Fernandez de Kirchner dhe ministrin e Jashtëm Hector Timerman se kishin mbuluar rolin e dyshuar të Iranit në atentatin që u mori jetën rreth 80 hebrenjve që jetonin në Argjentinë.

Top Channel