Londër, pranga të dyshuarës për terrorizëm

19/02/2015 00:00

Policia angleze ka arrestuar të enjten në aeroportin Hithrou të Londrës një vajzë 25-vjeçare të dyshuar për terrorizëm, që vinte nga Turqia.

Sipas raportimeve të mediave britanike, me vete vajza kishte edhe djalin e mitur 1 vjeç, të cilin autoritetet thonë se e kishte marrë me dhunë dhe e keqtrajtonte.

Autoritetet angleze të anti-terrorit kanë deklaruar se, arrestimi ka qenë i planifikuar dhe se në asnjë moment qytetarët nuk kanë qenë në rrezik.

“Ky arrestim ka qenë i planifikuar. Forcat e rendit po ndiqnin lëvizjet e vajzës dhe e kanë ndaluar atë sapo ka zbritur nga një fluturim që vinte nga Turqia”, ka deklaruar një zëdhënës.

Në fakt, autoritetet dyshojnë se gruaja, me banim në lokalitetin Sparkbruk të Birmingamit, vinte në të vërtetë nga Siria.

Autoritetet shtojnë se fëmija 1-vjeçar ndodhet tashmë nën kujdesin e policisë, që ka kontaktuar shërbimet sociale. Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të lëvizjeve të vajzës vazhdojnë.

Arrestimi i saj vjen në një moment kur e gjithë vëmendja është kthyer nga Libia, për shkak të emergjencës së ISIS, që tashmë ndodhet më afër se kurrë dyerve të Evropës.

Top Channel