Italia: Gati të veprojmë për Libinë, zgjidhja të jetë politike

19/02/2015 00:00

Italia është e vendosur të kontribuojë për stabilizimin e Libisë përmes dialogut të sponsorizuar nga Kombet e Bashkuara dhe po ashtu është gati të marrë përsipër një rol udhëheqës në kuadër të një nisme të tillë.

Kështu ka deklaruar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së përfaqësuesi i përhershëm i Italisë, Sebastiano Cardi.

Në Këshillin e Sigurimit po diskutohet emergjenca e krijuar në Libi pasi militantët e Shtetit Islamik morën kontrollin e disa qyteteve, duke përhapur terror dhe duke kërcënuar Evropën se Libia do të bëhet pikënisja e luftëtarëve të saj në kontinentin e vjetër.

Në të njëjtën linjë është shprehur ndërkohë edhe ministri i Jashtëm i Italisë, Fernando Gentiloni, duke folur në një mbledhje të posaçme të Dhomës së Parlamentit italian. Në fjalën e tij, Gentiloni ka insistuar se zgjidhja e situatës duhet të arrihet në rrugë politike.

“Zgjidhja e vetme e krizës së Libisë është ajo politike. Teksa negociatat kanë nisur hapat e parë, situata po rëndohet. Koha nuk pret dhe rrezikon të mbarojë, duke krisur edhe rezultatet e para të arritura”, tha Gentiloni.

Sipas tij, përkeqësimi i situatës në terren imponon një ndryshim të qasjes nga komuniteti ndërkombëtar para se të jetë tepër vonë. “Nuk duam as kryqëzata e as aventura”, ka shtuar Gentiloni.

ISIS ka kërcënuar së fundi se do të “përmbytë” Europën me rreth 500 mijë emigrantë nga Libia, në një sulm “psikologjik” kundër Perëndimit.

Lajmi u bë i ditur gjatë së mërkurës, pasi disa transkripte të telefonatave të përgjuara të publikuara tashmë në Itali pretendojnë se japin prova të mjaftueshme se ISIS po kërcënon të dërgojë 500 mijë emigrantë njëkohësisht në det të hapur përmes qindra barkave, me atë që mund të konsiderohet si “armë psikologjike” kundër Europës, nëse do të ndërhyhet ushtarakisht ndaj tyre në Libi.

Top Channel