Athina ka zyrtarizuar kërkesën për zgjatjen me 6 muaj të afatit të financimeve nga Evropa, i planifikuar të skadojë më 28 shkurt.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat greke, ndërsa është konfirmuar edhe nga presidenti i Eurogrupit, Dijsselbloem me një mesazh në Twitter.

Duke vlerësuar se ekzistojnë bazat për një takim të ri, zyrtari evropian ka njoftuar po në rrjetin social thirrjen për të premten të një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Eurogrupit.

Kërkesa e qeverisë greke vjen pas apeleve të shumta të faktorit ndërkombëtar për gjetjen e një zgjidhjeje me mes Greqisë dhe FMN-së.

Një ditë më parë, sekretari amerikan i Thesarit, Jack Lew që në një bisedë telefonike me homologun Varoufakis i sugjeroi këtij të fundit arritjen e një marrëveshjeje, duke paralajmëruar se në të kundërt pasojat ekonomike do të jenë të mëdha.

“Është momenti të kalohet tek faktet. Duhet gjetur një shteg konstruktiv në bashkëpunim me FMN-në dhe ministrat evropianë të Financave”, i tha Lew homologut grek.

Gjatë bisedës telefonike, shefi amerikan i Thesarit theksoi gjithashtu se pasiguria nuk është pozitive për Evropën.

Ai e vuri theksin tek fakti që një marrëveshje mes Greqisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Evropës duhet të bazohet në faktin se ekzistojnë mundësitë për të bërë hapa përpara si në rritjen ekonomike ashtu edhe në atë të reformave.

Më tej, Lew e siguroi Varoufakis se do të bëjë gjithçka për të inkurajuar kreditorët ndërkombëtarë të Greqisë për të arritur një marrëveshje.

Top Channel