Kuvendi nis pa prezencën e opozitës. Berisha: Rama nuk u dhunua nga shërbimi sekret

19/02/2015 00:00

Risia e vetme e seancës parlamentare të sotme ishte nisja në orar e saj. Kryeparlamentari Ilir Meta tregoi reflektimin e tërheqjes së vëmendjes që bëri një seancë më parë deputeti demokrat Eduart Selami për fillimin me mbi një orë vonesë të seancës.

Por, përkundër nga sa vetë kërkoi Selami, as ai dhe pothuaj asnjë deputet i opozitës nuk ishte në sallë në orën 10:00, orë në të cilën kreun e Kuvendit e gjeti në vendin e tij pas tre inspektimeve në sallën bosh, kryesisht nga mungesa e deputetëve të opozitës.  

Zhvillimet e tjera në këtë seancë ishin pothuaj identike me të tjerat, kur ish-kryeministri Sali Berisha me një seri akuzash ndaj qeverisë dhe ushtrisë për trafik droge, disa herë denoncoi si të pavërtetë deklarimin e Edi Ramës në intervistën për televizionin italian se është rrahur në vitin 1997 nga shërbimet sekrete të asaj kohe.

Sali Berisha: “Nëse do të ishin motive politike, çfarë e pengoi zotin Rama… e dini të gjithë që ishte krim pasioni.”

Taulant Balla
: “Ka ardhur koha që të përgjigjesh për akuzat e Izet Haxhisë, qoftë për brigadat e tritolit që komandoheshin nga ti Sali, për lidhjet e tua me vrasjen e Azem Hajdarit, qoftë edhe për urdhrat e tua dhënë SHIK-ut për dhunimin e intelektualëve dhe të opozitarëve të asaj kohe.”

Sali Berisha: “Nuk do të rrini rehat këtu duke vjedhur paratë e shqiptarëve.”

Top Channel