Tahiri takon Kerry-n: Të angazhuar në luftën ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm

19/02/2015 00:00

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaron se Shqipëria ka shumë për të bërë në luftën ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Në një intervistë telefonike për Top Channel nga Uashingtoni, ku po merr pjesë në takimin e organizuar nga presidenti Obama, Tahiri flet për masat që do të marrë vendi ynë.

Ndërkohë në takimin me Sekretarin Kerry, ai ka kërkuar që të vazhdojë vëmendja e Shteteve të Bashkuara në Ballkan.

***

“Kjo është konferenca e parë në nivel ministerial e thirrur dhe e drejtuar nga Presidenti Obama dhe Sekretari i Shtetit, John Kerry për të gjetur mënyrat e përbashkëta dhe për të adresuar masat që duhen marrë për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin. Kjo tashmë është një sfidë globale. Në samit është diskutuar në lidhje me masat e marra deri tani dhe sesi secili prej vendeve mund të forcojë mekanizmat e parandalimit në luftën ndaj terrorizmit, duke filluar që nga identifikimi i shtetasve, kontrolli i tyre në udhëtim për të evituar në maksimum ata që shkojnë në një luftë që nuk është e vendit të tyre. Gjithashtu është diskutuar edhe për një sërë mekanizmash që kanë të bëjnë me komunitetet e vogla, me shoqërinë, me komunitetet fetare për të kthyer edhe një herë mbrapsht modelet pozitive të luftës kundër terrorizmit, apo edhe të praktikimit të besimeve fetare pa e ngatërruar këtë me luftën globale kundër terrorizmit”, tha Tahiri.

Pandi Gjata: Zoti Tahiri, cilat janë disa nga angazhimet e Shqipërisë në këtë drejtim? Çfarë masash do të merren?

Saimir Tahiri: Në samit është shkuar deri në analizimin e shkaqeve se pse në disa vende ka rritje të tendencave ekstremiste lidhur me këto praktika, të cilat më pas kthehen në ekstremizëm të dhunshëm. Sigurisht që janë identifikuar shkaqe të tilla si papunësia, injoranca, varfëria, mungesa e alternativave të zhvillimit ekonomik, e kështu me radhë. Por edhe të gjitha këto, vetëm, përsëri nuk mjaftojnë për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Shqipërisë i mbetet shumë për të bërë në këtë kuadër, jo vetëm për të zhdukur shkaqet që çojnë edhe në kriminalitet, por edhe në tendenca të disa individëve për terrorizëm, siç mbetet shumë për të bërë në kuadrin ligjor, në kuadrin e masave parandaluese. Një gjë është e sigurt, çdo vendi i mbetet sfidë permanente krijimi i alternativave të zhvillimit ekonomik, apo krijimi i kushteve arsimore për të nxjerrë nga rruga e degradimit në ekstremizëm cilin do individ, që në mungesë të këtyre alternativave e gjen si rrugë për shpëtim. Në Shqipëri mbetet shumë për të bërë lidhur më bashkërendimin e mekanizmave edhe me vendet e tjera ne kuadër të identifikimit të shtetasve, kontrollit më të rreptë të kufirit, apo edhe të udhëtarëve, jo vetëm shqiptarë. Sfidë mbetet edhe forcimi i komuniteteve vendore në çdo qytet, në çdo fshat e në çdo lagje në mënyrë që të jenë vetë qytetarët ata që parandalojnë më së pari këto tendenca. Pra, në konferencë u fol edhe për këto mekanizma parandalues që janë sa qeverisës ashtu edhe komunitarë. Ky samit ka dimensionit e mekanizmave qeveritare dhe dimensionin shoqëror dhe të komuniteteve të vogla e fetare.

Pandi Gjata: A kishte propozime specifike për vendet me shumicë myslimane? Obama iu drejtua liderëve të vendeve myslimane, të cilët duhet të kenë një rol të veçantë në këtë histori të re të përballjes së njerëzimit
.

Saimir Tahiri:
Pasoja imediate e samitit është organizimi i samiteve të ngjashme në disa vende në botë. Unë shpresoj shumë dhe këtë e bisedova edhe në takimet dy palëshe, që një samit i tillë të mbahet edhe në Tiranë dhe për këtë kemi nisur menjëherë nga puna. Këto samite do të organizohen në mënyrë që mekanizmat bilateral apo multilateral për secilin shtet të diskutohen konkretisht nga ekspertët, të cilët do të hartojnë më pas listën e masave konkrete që do të merren. Samiti shënon kulmin e prioritetit politik dhe të angazhimit të qeverive, shoqërive dhe institucioneve fetare. Sigurisht që kjo mbetet për t’u pasuar, jo vetëm nga këto samite rajonale, por edhe nga tryeza ekspertësh që do të identifikojnë dhe do të zbatojnë një axhendë të ngjeshur masash në këtë kuadër.

Pandi Gjata: Samiti i Tiranës është një propozim i Shqipërisë dhe a ka një afat kohor se kur mund të mbahet?

Saimir Tahiri: Është vetëm një propozim, mbetet ende për të shqyrtuar akoma më shumë. Por unë besoj se Tirana do të ishte vendi më përfaqësues për të mbajtur një samit rajonal. Ne kemi filluar menjëherë nga puna që prej ditës së djeshme dhe do të vazhdojmë edhe në vijim.

Pandi Gjata: Ky samit do të jetë në nivel kryeministrash?

Saimir Tahiri: Nuk mund ta them këtë pasi jemi në fazën paraprake, por e shpjegova si një fazë pasuese e këtij samiti në SHBA.

Pandi Gjata: Ju patët takime dhe biseduat edhe me Sekretarin amerikan të Shtetit, por edhe me zyrtarë të tjerë amerikanë dhe me homologët tuaj. Çfarë do të veçonit nga këto takime?

Saimir Tahiri:
Me Sekretarin amerikan të Shtetit pata një takim të shkurtër pas ditës së parë të samitit, ku pas falënderimit për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partner strategjik i Shqipërisë, i kanë dhënë vendit tonë ndër vite por edhe tani, e sigurova dhe e garantova për angazhimin e Qeverisë sonë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ashtu siç i kërkova që të ushtrohet më shumë vëmendje në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit, në mënyrë që të mos lejohet në asnjë mënyrë humbja e vëmendjes, që më pas do të çonte në degradimin e më shumë individëve, nga sa ndodhur deri më sot, drejt ekstremizmit të dhunshëm. Ajo që mund të them është se Shqipëria e gjen veten të rreshtuar përkrah vendeve të koalicionit në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke i përmbushur me shumë sukses detyrat po ashtu si dhe një numër i madh shtetesh. Gjithashtu mbetet shumë për të bërë, por nuk mund të bëjmë asgjë ashtu siç duhet në rast se nuk jemi krah për krah me partnerët tanë strategjikë, në mënyrë të veçantë SHBA. Kam pasur disa takime me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit për të forcuar bashkëpunimin lidhur me krimin e organizuar dhe terrorizmin në Shqipëri si një kusht i domosdoshëm për të garantuar siguri në rajon, por edhe më gjerë. Siguria nuk është një koncept që mund të garantohet vetëm nga një vend, por është koncept që duhet ndërtuar bashkë me shoqërinë, komunitetet lokale, por edhe me partnerët ndërkombëtarë mbi të gjitha.

Top Channel