Rama-Juncker, kokë më kokë në Bruksel

19/02/2015 00:00

Flamuri shqiptar valëvitej këtë mëngjes në krye të platformës së Komisionit Europian, duke lajmëruar vizitën zyrtare të kryeministrit Edi Rama, i cili pritej dhe si kryetar i procesit të bashkëpunimit për vendet e Europës Juglindore.  

Takimi Rama-Juncker zgjati më pak se një orë dhe në përfundim nuk pati deklarata për median, siç parashikohej, për shkak të axhendës së ngjeshur të presidentit të Komisionit.

“Presidenti Juncker priti kryeministrin shqiptar, zotin Edi Rama. Ata diskutuan për perspektivën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, për rolin konstruktiv të saj përgjithësisht në rajon, si dhe u riafirmua angazhimi i Komisionit për të vazhduar ndihmën ndaj vendit në mënyrë që të ecet përpara me perspektivën europiane. Kjo është hera e parë që presidenti Juncker takohet me kryeministrin shqiptar, që pas zgjedhjes në krye të KE-së”, deklaroi Margaritis Schinas, kryezëdhënëse e KE-së.

“Presidenti shprehu gjithashtu shqetësimin e tij të thellë për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në disa rajone të Shqipërisë. Komisioni është duke mobilizuar ndihmën emergjente përmes mekanizmit të BE-së për mbrojtjen civile”, tha më pas Natasha Bertraud, zëdhënëse e KE.

Kryeministri Rama u befasua kur presidenti Juncker e prezantoi atë me një nga asistentet e kabinetit të tij me origjinë shqiptare, Shpresa Ismajlaj.

Ai shoqërohej nga ministrat Ditmir Bushati dhe Klajda Gjosha për këtë vizitë zyrtare. Ndërsa përballë tyre qëndronte vetëm Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, meqënëse Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini ndodhet me mision në Uashington, siç ishte njoftuar dhe në fillim të javës nga TCH.

Por mësohet se ajo pritet të jetë në Tiranë javën e ardhshme në kuadër të ministerialit të vendeve të Europës Juglindore.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel