Ekspertët: Sunitët mund të mposhtin ISIS-in. Nuk mjaftojnë bombardimet dhe kurdët

19/02/2015 00:00

Fushata ajrore kundër Shtetit Islamik e ka dobësuar grupin e dhunshëm xhihadist. Megjithatë, në sytë e ekspertëve, të vetme, sulmet nga ajri nuk mjaftojnë për mposhtjen e militantëve.

Zgjerimi territorial i kalifatit të ekstremistëve është frenuar, si pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të koalicionit ndërkombëtar, të cilat qenë një ndihmë e paçmuar për “Peshmergat” kurde në marrjen e Kobanës.

Megjithatë, edhe pse i lëkundur, miti i ISIS-it ende nuk është thyer. Situatën e vështirëson ende më shumë taktika guerrilase e adoptuar nga luftëtarët e Shtetit Islamik. Për pasojë, zgjidhja më e mirë në këtë situatë, sipas ekspertit Loay Mudhoon, është goditja edhe nga fronte të tjera, e këtu, angazhimi ndoshta më i rëndësishëm do të ishte ai i sunitëve.

Fuqi rajonale sunite janë përfshirë në të ashtuquajturin “koalicion i të vullnetshmëve”, po jo aq sa duhet. Perëndimit i mungojnë aktualisht aleatë të aftë të drejtojnë një luftë efektive tokësore kundër ISIS-it në territoret sunite në Siri dhe Irak.

Vetë xhihadistët po shfrytëzojnë kaosin në Libi për të zgjeruar bazën e tyre operative, e për të bërë aleancë me ekstremistët egjiptianë, e përveç Egjiptit, ata sot përbëjnë kërcënim real edhe për Tunizinë.

Pikërisht këtë çast duhet të kapë Perëndimi, mendon Mudhoon, dhe të bëjë çdo gjë të mundshme për të krijuar një aleancë egjiptiano-turko-saudite kundër ISIS-it, mundësisht duke marrë në konsideratë islamikët e moderuar, por pa Iranin dhe regjimin e Assadit, të diskredituar ndërkombëtarisht.

Përfshirja e Iranit do të ishte më tepër kundërproduktive, për shkak të qëndrimit ekstrem antishiit të gati të gjithë xhihadistëve. Vetëm myslimanët sunitë janë në gjendje të mundin ISIS-in e të thajnë trungun ideologjik të xhihadizmit, shton ai, ndaj vendet perëndimore duhet të këmbëngulin për një përfshirje të vërtetë të tyren në veprimtarinë e qeverisë së Irakut.

Top Channel