Vjedhja në BSH, jepet vendimi për grupin e parë të të akuzuarve. Nis seanca për Bitrajn

19/02/2015 00:00

Gjykata e Tiranës shpalli fajtorë dhjetë të pandehurit e parë të Bankës së Shqipërisë. Në total, gjyqtari Martin Dedaj i dënoi ata me 11 vjet heqje lirie për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” pasi me veprimet dhe mosveprimet e tyre i kanë krijuar kushte të pandehurit Ardian Bitraj, që të vidhte fare i qetë shumën e 713 milionë lekëve në Departamentin e Emisionit.

Që nga ish-drejtori i Departamentit të Emisionit deri tek ish-përgjegjës të arkave dhe inventarizues, që llogarisnin apo qarkullonin vlerat monetare nga arka stok në arkën për veprim, përfituan nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar, duke marrë nga drejtësia dënime minimale, nga 8 muaj deri në 18 muaj.

Në këtë mënyrë, operatori vëzhgues Dhimitër Davidi, i cili dyshohet se kishte parë veprimet e Bitrajt duke nxjerrë lekë me thasë, por nuk i kishte raportuar ato, u dënua me dy vjet e 4 muaj burg, por sikurse deklaroi gjyqtari, sipas gjykimit të shkurtuar atij i zbritet vuajtja e dënimit në 18 muaj burgim.

Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, Lavdim Çani, Myzejen Belba dhe Liljana Tusha u dënuan secili me nga një vit e 4 muaj heqje lirie, ish-drejtori i Departamentit të Thesarit Dorian Çollaku, Bahri Allushi e Mehdi Marku, u dënuan me nga një vit burg, ndërsa Gentjan Jahja e Fatbardha Gurthi me nga 8 muaj heqje lirie.

Ndërkohë që ish-shefi i Arkës në Veprim, Bashkim Xhilaga, u dënua me një vit e 4 muaj heqje lirie, por që për shkaqe shëndetësore ai duhet të lërë qelitë.

“Urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit për dënimin me burgim për pjesën e pakryer të dënimit, për arsye shëndetësore, dhe lihet i lirë me kusht për 2 vjet i pandehuri Bashkim Xhilaga, në mënyrë që të mos kryejë vepër tjetër penale”, u shpreh gjyqtari Martin Deda.

Vendimi i gjykatës u prit në heshtje nga familjarët e të pandehurve. Por jashtë sallës pati edhe komente.

“Akuza është qesharake. Disa aty u dënuan pa të drejtë. Dikë e akuzojnë se nuk ka hartuar rregulloren, ndërsa të tjerë i akuzojnë se nuk kanë zbatuar rregulloren. Është diçka kontroverse”.

Në të njëjtën ditë një trupë tjetër gjyqësore tentoi të çelte procesin ndaj të pandehurve kyç në vjedhjen e 713 milionë lekëve, por mungesa e Mimoza Bruzias u bë shkak që gjyqi të dështojë. Ardian Bitraj u shfaq i qetë, së bashku me Klevis Bejtjajn, duke deklaruar vetëm të dhënat personale.

Në këtë proces, Banka e Shqipërisë depozitoi kërkesën që të jetë palë së bashku me Avokaturën e Shtetit, për të kërkuar në mënyrë civile në fund të gjyqit kthimin e shumës së vjedhur, e cila sipas Prokurorisë është shpenzuar në lojërat e fatit nga Ardian Bitraj.

Top Channel