Përmbytjet, ekspertët: Viti 2015, i keq. Parashikuam edhe përmbytjet e Vjosës

19/02/2015 00:00

Shqiptarët gjatë një viti do të duhet të përballen me përmbytje, por edhe me temperatura tepër të larta gjatë verës.

Merita Meksi, koordinatore e projektit GIZ, tha: “Mund të kemi më shumë përmbytje, pavarësisht se reshjet do të jenë më të pakta. Ndërkohë, do të kemi ndikim edhe në sektorin e energjitikës pasi më pak reshje do të thotë më pak energji hidrike. Do të ketë edhe rritje temperature në verë, sidomos në Tiranë. Rritja pritet të jetë 4-5 gradë më tepër.”

Ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave arritën të parashikojnë disa ditë para përmbytjet që do të përfshinin zonën e Vjosës. Klodian Zaimi shprehet: “Përmbytja është parashikuar 4 ditë përpara dhe ka njoftuar dikasteret përkatëse.”

Zonja Meksi shtoi se “në rastin e Vjosës, paralajmërimi nuk u mor shumë parasysh. Nuk do të kishte kurrsesi kaq shumë pasoja financiare nëse do të merrej parasysh paralajmërimi i institutit tonë.”

Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me qeverinë federale gjermane po punon për hartimin e planit kombëtar të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike. Ekpertët kërkojnë që çdo ministri të marrë në konsideratë këto ndryshime në mënyrë që të merren masat e kërkuara në kohën e duhur.

Laureta Dibra, ekperte e mjedisit, thekson: “Këto kushte ekstreme të motit do të ndikojnë në sektorët kryesorë të ekonomisë dhe çdo investim që bëjmë, duhet të kemi parasysh zhvillimet klimatike.”

Episodet e përmbytjeve, por edhe të thatësirave të zgjatura janë fenomene që do të shkaktojnë dëme të mëdha në bujqësi, ekonomi, turizëm por edhe në sektorin e energjitikës, ndaj kërkohen plane të mirëstudiuara para se të ndërmerren investime.

Top Channel