Testimi i infermierëve, “Urdhri” kundër pyetjeve. Komisioni: Janë shumë vlerësuese

19/02/2015 00:00

“Urdhri i Infermierëve” konteston fondin e pyetjeve të hartuara për testimin e infermierëve. Janë gjithsej 600 pyetje, të cilat janë publikuar tashmë, me 50 prej të cilave do të testohen infermierët e QSUT-së në datën 28 shkurt.

“Pyetjet nuk ishin serioze, aspak profesionale, ishin të pakuptimta në nivelin e tyre. Kishin probleme edhe me alternativat dhe përgjigjet e tyre, por ulin edhe reputacionin e hartuesve të tyre, edhe atë të bluzave të bardha bë përgjithësi. Kishte edhe nga ato që ishin qesharake. Të tilla pyetje nuk i shërbenin qëllimit që ka bërë të ditur në aparencë Ministria e Shëndetësisë, e cila kërkon të krijojë një opinion të përgjithshëm”, u shpreh Sabri Skënderaj, “Urdhri i Infermierëve”.

Por hartuesit e këtij testi, të cilët janë të trajnuar në Francë, SHBA, Kanada, e ndër të tjera kanë eksperiencat e tyre në Infermierinë në QSUT, thonë se testet janë përpiluar me pyetje elementare jo pa qëllim.

“Është përdorur literaturë ndërkombëtare me teste të standardizuara për Infermierinë. Në rast se ata nuk i njohin testet, ky është problemi i tyre, jo problem i testit. Dhe në rast se ata nuk janë mësuar me këtë lloj vlerësimi, përsëri nuk është problem i testit. Testet janë të standardizuara dhe ne jemi përpjekur t’i përshtasim, madje edhe t’i thjeshtojmë sa më shumë që të jetë e mundur. Ky test do të zhvillohet në dy faza: kjo e fundit të shkurtit është faza e parë që mbulon vetëm bazat, e që do të thotë të identifikosh se ku fillon niveli i performancës së infermiereve në shërbimet tona shëndetësore. Për këtë arsye, një pjesë e pyetjeve janë elementare”, thotë Alma Pula, anëtare e komisionit të hartimit të pyetjeve.

Infermierët do të testohen në dy faza. Pas 30 ditësh ata do të testohen për anën profesionale.

“Në qoftë se ka njerëz që nuk i kanë hapur kurrë librat, sigurisht që nuk e kuptojnë dot as formulimin e këtyre pyetjeve. Është baza e Infermierisë e hartuar nga tre pedagoge të Infermierisë, që janë shqiptare, por të trajnuara nëpër vende të ndryshme të Europës. Është përfolur që kanë ardhur me diploma false, përflitet se kanë ardhur pa shkuar asnjë ditë në shkollë, apo që nuk dinë fare se nga i kanë bërë këto shkolla. Megjithatë nuk është ky qëllimi, këto janë. Tani me këto dije që kanë, çfarë strategjish edukimi do të ndërmarrim ne, si celula e edukimit në vazhdim në QSUT. Pikërisht ai që na përfaqëson neve në Infermieri, pikërisht ai nuk ka dijen as më minimale për t’i kualifikuar këto pyetje, sepse është marrë gjithmonë me shoqata dhe sindikata, por edhe urdhra infermierësh, duke mos ditur se çfarë bëhet në terren”, thotë Mimoza Kalaja, anëtare e komisionit të hartimit të pyetjeve.

Në datën 1 mars do të kryhët testimi për infermierët e Spitalit të Traumës, Sanatoriumit dhe dy materniteteve. Ndërsa në datën 6 mars do të vijojë testimi për infermierët e Spitaleve Rajonale. Ndërkohë që për infermierët e Qendrave Shëndetësore do të ketë një pyetësor ndryshe nga infermierët e spitaleve. Sipas zonjës Kalaja duhen testuar edhe pedagogët që japin mësim në Fakultetin e Infermierisë.

Top Channel