Kosovë, BERZH siguron mbështetje ndaj sektorit privat

19/02/2015 00:00

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami, duke folur në konferencën e organizuar nga BERZH “Financimi dhe këshillimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, tha se Qeveria do të luajë rolin e avokatit në sektorin privat dhe se, së shpejti, për këtë qëlllim do të  riaktivizohet Këshilli Kombëtar i Zhvillimit Ekonomik.

Bajrami u sugjeroi bizneseve, që të jenë në kontakte të vazhdueshme me sektorin e tregtisë, lidhur me barrierat që hasin në aktivitetin e tyre.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë po merr të gjitha masat për përgatitje për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, sapo të jetë shkruar dhe nënshkruar ajo. Ne tani, në kuadër të CEFTA-s, është e rëndësishme ta dini që po negociojmë shërbimet. Është me rëndësi për të gjitha bizneset, të cilat janë në sektorin e shërbimeve, që të jenë në kontakt me Departamentin e Tregtisë dhe faktikisht të tregojnë se ku kanë barriera ata sot”, tha Hikemete Bajrami, ministre e MTI.

Bajrami tha se Ministria që ajo drejton është duke punuar për fondin prej 15 milionë eurosh dhe u bëri thirrje Odave Ekonomike të jenë sa më aktive për të përfituar asistencë teknike dhe financiare për bizneset.

Këto komente u bënë në konferencën për nismën “Knoë-Hoë” për bizneset kosovare të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, në të cilën u prezantuan instrumentet e financimit dhe këshillimit për bizneset në Kosovë.

BERZH ka investuar në Kosovë që nga 1999 dhe, deri më tani, ka nënshkruar 37 projekte prej më shumë se 89 milionë euro. Bizneset që kanë nevojë për këshilla teknike mund të drejtohen në zyrat e ekipit mbështetës për bizneset e vogla në kuadër të BERZH, në objektin e Bankës Qendrore në Fushë Kosovë.

Deri më tani, mbi 600 biznese të vogla dhe të mesme kanë marrë shërbime këshilluese për t’u rritur dhe për të krijuar vende të reja të punës. Kosova është anëtare e BERZH që nga dhjetori i vitit 2012.

Top Channel