Ushtarët gjermanë luftojnë me shkopinj

19/02/2015 00:00

Një ndër sektorët më të prekur nga shkurtimet drastike për shkak të krizës financiare në Gjermani që edhe ushtria.

Që prej 2008-ës buxheti për mbrojtjen dhe shpenzimet ushtarake ka ardhur në ulje, por jo vetëm kaq. Shkurtimet kanë prekur edhe një pjesë të armatimeve.

Për të përballuar këtë situatë dhe për të mos dalë ‘të çarmatosur’ në një stërvitje të përbashkët të NATO-s, ushtarët gjermanë menduan vetë.
Televizioni ARD transmeton se në përpjekje për të fshehur mungesën e armëve të vërteta të zjarrit në një stërvitje të Aleancës vitin e kaluar, ushtarët i zëvendësuan ato me shkopinj, të ndërtuar dhe ngjyrosur sipas armëve të vërteta.

ARD citon një dokument konfidencial të ushtrisë, ku thuhet se ushtarët ‘armët shkopinj’ i ngjyrosën dhe i përdorën kryesisht për të plotësuar boshllëkun e armëve të vërteta mbi makinat e blinduara.

Ministria e Mbrojtjes as pohoi por as mohoi këtë praktikë që e quajti si të papreçedentë. Një zëdhënës tha se në stërvitjen për të cilën bën fjalë dokumenti i publikuar, automjetet e rënda të ushtrisë ishin parashikuar pa artileri të rëndë dhe se vendimi i ushtarëve për të vendosur disa shkopinj mbetet për t’u sqaruar.

Ky publikim mbërrin në një kohë kur luftimet në Ukrainë nuk kanë ndalur, pavarësisht nënshkrimit të një marrëveshjeje javën e kaluar dhe ekspertët ushtarakë ngrenë dyshime serioze mbi aftësinë e Gjermanisë dhe NATO-s për garantuar siguri në rast të një ndërhyrjeje ushtarake.

Top Channel