“Bashkëpunim kundër ISIS. Ballkani, jo fushëlojë e Rusisë”

19/02/2015 00:00

“Megjithë përmirësimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit në çështjet e sigurisë, nuk është ai që duhet të ishte në përballje të kërcënimit nga ISIS apo fenomenit të luftëtarëve që shkojnë nga Ballkani në vendet e trazuara”.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka pohuar këtë gjatë intervistës së dhënë për gazetën austriake “DerStandart”. Kjo gazetë ka shprehur interesimin për masat që po merr Ballkani në luftën kundër ISIS.

Ministri i Jashtëm shqiptar është pyetur për marrëdhëniet Shqipëri- Serbi, por interesi madhor i prestigjozes austriake ka qenë  nëse është i mjaftueshëm bashkëpunimi rajonal për luftëtarët që shkojnë prej Ballkanit në Siri apo Irak.

Shefi i diplomacisë shqiptare pohon përmirësimin e bashkëpunimit, duke theksuar se  nuk duhet të lejohet që Ballkani të bëhet një fushë loje për aktorë të tjerë.

“Me aktorë të tjerë nënkuptojmë Rusinë, por edhe vende që nuk ndajnë detyrimisht të njëjtat vlera si vende anëtare të NATO-s”, është shprehur Ditmir Bushati.

Mungesën e angazhimit për të mbrojtur të njëjtat vlera perëndimore, Bushati e ka ilustruar me qendrimin e disa vendeve në rajon, ndër të cilat Serbia, gjatë krizës ukrainase.

Për Ministrin e Jashtëm shqiptar, përgjigjja ndaj kërcënimit të ISIS është përfshirja. Me këtë të fundit ai nënkuptoi, bashkëpunim më të madh rajonal në çështjet e sigurisë, përmirësim të kushteve social-ekonomike.

Top Channel