Unaza e aviatorit britanik dhe rruga e gjatë e kthimit në shtëpi

19/02/2015 00:00

Një unazë që zbulon të vërtetën e një aksidenti ajror dhe afron dy kombe. Në tetorin e vitit 1944, një avion britanik i llojit “Halifax” i skuadronit 148, zhduket pa koordinata dhe pa asnjë të dhënë, përveç se ishte nisur në mision furnizimi për Operacionet Speciale në Shqipëri.

Gjurmët e para të tij do të gjendeshin në vitet ’60, në Bizë të Martaneshit. Mes rrënojave, një person gjen edhe një unazë martese, në të cilën ishin gdhendur emrat John dhe Joyce. Këtë unazë ai e ruajti dhe ia dha të birit, Xhemil Çala, si dhuratë ditën e martesës, bashkë me një amanet.

“Kur ma dha, më tha merre, nuk është as e imja por as e jotja. Kjo ka një zot dhe nuk është nga fisi im. Duhet t’i kthehet të zotit kur t’i vijë koha”, tha Çala.

Unaza ishte një aksesor luksi për kohën dhe Xhemili tregon se kurrë nuk e zbuluan se ku e kishin marrë, ndërsa kujdesi për të ishte shumë i madh.

“Kur punoja në kazëm nuk e mbaja, se e hante kazma. Kur dilja në ndonjë sebep e mbaja dhe lavdërohesha me këtë, sepse kisha një unazë floriri në gisht, por asnjëherë me mendjen për ta shitur. Edhe unaza vetë nuk donte të rrinte te gishti im, dukej sikur donte të lëvizte. Bija në gjumë natën dhe e lija në gishtin e vogël për së mbari, ndërsa kur ngrihesha e gjeja të kthyer mbrapsht. E lirshme nuk ishte ajo, thjesht nuk i takonte gishtit tim ajo unazë, i takonte dikujt tjetër”, thotë Xhemili.

Pas rënies së sistemit komunist, duket se shpresat për të çuar në vend dëshirën e të atit rilindën, por vështirësitë ishin të mëdha.

“Kur erdhi demokracia dhe u shemb muri i Berlinit, po vinte era liri dhe babai më tha se tashmë kishte ardhur koha për unazën. Por ishin kushtet shumë të vështira në atë kohë, s’kishim internet, ndaj nuk po e çaja dot t’i jepja drejtim. Pastaj i “thashë” unazës të rrinte në gishtin tim se ishte mirë, edhe pse kisha gjithmonë besim se do ta gjente të zotin”, thotë më tej Xhemili.

Duket se ajo unazë kërkonte medoemos të zotin. Informacioni i familjes Çala vuri në lëvizje fillimisht Ambasadën amerikane e më pas atë britanike. Gjatë një prej stërvitjeve të marinsave anglezë në Bizë u realizua një ekspeditë te vendi i aksidentit.

Christopher Casey, mjek i Ambasadës amerikane në Tiranë, hodhi dritë mbi historinë familjare dhe zbuloi kush ishin John dhe Joyce. Kjo unazë identifikoi avionin e zhdukur anglez. Ajo i pëkiste inxhinierit të fluturimit, John Thompson.

“U bënë shumë kërkime nga ana ime, duke përfshirë shumë njerëz të ndryshëm, si dhe morëm ndihmën e tyre me informacione, gjë që na mundësoi ta verifikojmë këtë bombardues, që mbase ka qenë duke ndihmuar partizanët, ndoshta duke hedhur pajisje në atë zonë. Dimë që është pak para çlirimit të Tiranës, në vitin 1944, ndaj do të ketë pasur shumë veprimtari në atë zonë, gjatë asaj kohe. Kështu e hasëm këtë. U vumë në dijeni për praninë e unazës nga z. Çala në Elbasan. Kur pamë emrat e gdhendura në unazë, munda të bëj kërkime në listën e avionëve të rrëzuar nga forcat REF, që kanë qenë këtej gjatë luftës. Munda të identifikoj, nga emri i gjendur në unazë, si dhe nga emrin i nuses në unazë, se cili avion ka më shumë gjasa të jetë. Kjo doli të ishte pika kyçe e kërkimeve dhe hetimeve tona. S’do ta kishim kuptuar dot se cili avion ishte pa atë unazë”, tha Christopher Casey.

Kjo histori e denjë për film ka lënë gjurmë dhe ka surprizuar jo pak mjekun amerikan.

“Them se është histori mahnitëse. Mendoni që babai i tij e ka gjetur unazën para 50 ose 60 vjetësh. Dhe ai e ruajti. Në vend që ta shkrinte e ta shiste, gjë që mund ta kishte bërë fare mirë, e ruajti në një vend të sigurt, dhe i biri i premtoi të atit para se të vdiste që do t’ia kthente familjes. Personalisht, më duket një nga gjërat më drithëruese, që dalin nga kjo histori”, tha Christopher Casey.

Tashmë dita që kjo unazë do të kthehet te familjarët e të rënit britanik është e afërt. Mes emocioneve z. Çala tregon se nuk do t’i mungojë unaza e tij e martesës, edhe pse e shoqëroi për më shumë se katër dekada.

“M’u duk sikur u çlirova, hoqa një barrë mbi supe, sepse nuk rrija dot rehat. Ja kjo unaza tjetër që ma ka dhuruar gruaja, më rri mirë. Ajo s’më rrinte mirë dhe donte të ikte diku tjetër. Do shkoj te varri i babait e do i them atij se e çova amanetin në vend, tani të prehet i qetë”, u shpreh Xhemili.

Top Channel