Silvana Izetaj, si i frymëzoi njerëzit me dashurinë e saj për librat

19/02/2015 00:00

Ajo është një grua, e cila me historinë e saj na mrekulloi të gjithëve. Një javë e gjysmë më parë, Silvana Izetaj përcolli për publikun e “Pasdites” dashurinë për librat dhe leximin, edhe pse jeta nuk i ofron thuajse asgjë për të përmbushur këtë pasion.

Ajo, familja dhe të vegjlit e saj, jetojnë me punën që 26-vjeçarja dhe bashkëshorti bëjnë duke mbledhur mbeturina të riciklueshme. E ndërkohë, dashurinë për librat e përmbush vetëm me ato çka gjen nëpër kazanë. Pak, por mjaftueshëm për të marrë një dritë lumturie, mes territ të vuajtjeve dhe skamjes së saj.

Rrefimi i të resë, jo vetëm që preku shumë persona, por shumë prej tyre kanë dhuruar gjatë këtyre ditëve parà dhe libra për Silvanën. Por, në gjithë këtë solidaritet, na preku kontributi i një zonje. Ajo është Desantila Reka. Një grua e paralizuar, në gjendje jo fort të mirë ekonomike, e megjithatë ajo kërkoi me ngulm të dhurojë një shumë simbolike për Silvanën.

“Pashë gjendjen te shtëpia e saj, dëgjova se kishte vetëm 4 klasë shkollë dhe përsëri i pëlqente të lexonte, ashtu siç më pëlqen dhe mua. Por u preka kur tha se i kishte vdekur e ëma dhe e kishte lënë të vogël, dhe se kishte vuajtur shumë nëpër spitale, ku e kishin ndihmuar doktoreshat. Ashtu si ajo, edhe unë kam mbi 20 vjet që vuaj nëpër spitale”, thotë Desantila.

“Doja të të falënderoja me gjithë zemër për këtë gjest human ndaj meje, dhe ta them me sinqeritet e me gjithë zemër, se nëse do të kesh nevojë për çdo gjë, mua do më kesh pranë”, iu përgjigj Silvana. “Sa herë të kesh nevojë, do të të jap numrin e telefonit dhe jam gati edhe për të ndenjur me ty sa për shoqëri”.

Gjatë programit, Silvana shprehu dëshirën për të qenë anëtare e Bibliotekës Kombëtare. Mungesës së informacionit të saj iu përgjigjën menjëherë autoritetet e këtij institucioni, duke e ftuar atë t’i bashkohet komunitetit të lexuesve të kryeqytetit.

Tani Silvana është gati për të përmbushur këtë dëshirë…

“A kam të drejtë të marr ndonjë libër? Do më pëlqente ndonjë roman dashurie”, e pyet Silvana Blertën, punonjësen e Bibliotekës pas regjistrimit.

“Do të të sugjeroja një libër të Daniel Steel, autor amerikan që ka shkruar shumë mbi këtë temën që të intereson ty”, i rekomandon Blerta.

Shpesh mendojmë se t’i ndryshosh jetën dikujt me katapultë duhet një mrekulli, edhe pse ndryshimi mund të nisë nga gjërat e vogla dhe gjestet simbolike në dukje.

“Unë ju falënderoj të gjithëve ju, si staf në radhë të parë, falënderoj zotërinë që më ka dhuruar këto libra, por edhe gjithë të tjerët që kanë ndihmuar. Më keni bërë që të më ndryshojë jeta tërësisht. Më besoni, nuk e di a do të kem gjumë, sepse do të rri deri vonë për të lexuar gjithë këto libra”, u shpreh Silvana.

Top Channel