Debate për ligjin e borxhit, Berisha: Nuk i njohim. Cani: Praktikë e BE-së

19/02/2015 00:00

Ish-Kryeministri Sali Berisha parlajmëroi në Kuvend se opozita nuk do të njohë borxhet e marra nga qeveria në tregun ndërkombëtare nëse ajo nuk tërhiqet nga ligji i ri i borxhit.

”Që nesër si opozitë do të çojmë letra në të katër anët e botës që s’do të njohim asnjë borxh që merrni jashtë parlamentit. Kjo është zgjidhja. Do t’u çojmë të gjitha bursave, të gjitha tregjeve financiare, do t’u çojmë të gjitha fondacioneve. Nuk mund t’u lëmë ju aventurierë që të silleni me financat publike si të jenë financat tuaja personale”, tha Berisha.

Ligji i ri e zhvesh qeverinë nga detyrimi për të miratuar me ligj të posaçëm në parlament kreditë që merr nga privatët në tregjet ndërkombëtare.

“Ne s’po bëjmë gjë tjetër me këtë ligj, por po bëjmë tamam siç e kanë vendet e BE-së, me përjashtim të Bullgarisë që për arsyet e veta nuk e ka. Kështu shkohet në sulltanat apo në BE? Si shkoke në sulltanat duke bërë të njëjtën gjë që e bëjnë të gjitha vendet e BE-së?!”, mbrojti ligjin Ministri i Financave, Shkëlqim Cani.  

“A e dini ju që vendet e Bashkimit Europian, kanë vendosur në Kushtetutë nivelin e borxhit, kurse këta duan të heqin kontrollin parlamentar mbi borxhit, por nëse e heq, çfarë bëhet me nivelin e tij?”, u përgjigj Berisha.

Ministri i Financave i mohoi akuzat e opozitës se qeveria po shmang parlamentin nga kontrolli mbi borxhit. Sipas tij, edhe me këtë ligj qeveria nuk mund të marrë dot hua pa autorizimin e Kuvendit, i cili ja përcakton kufijtë e borxhit në ligjin e buxhetit.

“Është me shifra. Është 1 miliard e kaq, deri me 1 lek thotë buxheti se sa mundet që qeveria të marrë borxh, të marrë hua. Nuk e ndërrojmë këtë nen! Ju kur i bëtë namin Shqipërisë, ndërruat ligjin organik, atë që kishte 60 përqind të borxhit, nuk ndërruat këtë ligj”, replikoi Cani.

Ligji i ri i borxhit ka hapur dhe një debat të fortë kushtetues, pasi në nenin 121 ligji themelor i shtetit përcakton se marrja përsipër e detyrimeve financiare bëhet me ligj të posaçëm në parlament.

Top Channel