Humbja në Laç e Partizanit; tifozët, specialistët dhe mediat akuzojnë

19/02/2015 00:00

Pas disa ndeshjeve të dyshimta në Superiore, eliminimi i Partizanit në Kupën e Shqipërisë cënoi imazhin e ngritur për një Kategori Superiore cilësore dhe pa kompromise këtë sezon, duke rikthyer diskutimet për aleanca mes skuadrave, apo dyshime për trukim rezultatesh.

“Për sa kohë që janë të njëjtët njerëz që drejtojnë futbollin, të njëjtët presidentë, të njëjtët trajnerë dhe të njëjtët lojtarë, është shumë e vështirë që të ndryshohet i gjithë ky mentalitet me një të rënë të lapsit, apo me një click”, shprehet Fatjon Kodra, kryeredaktor i “Sport Ekspres”.

Ndërkohë që klubi i Partizanit, trajneri apo lojtarët, kanë preferuar të heshtin për ndeshjen e Kupës, kanë qenë mediat sportive në vend, ato të cilat nëpërmjet titujve apo shkrimeve kanë kritikuar ashpër lojën e “të kuqve”, madje janë mundur të hedhin sadopak dritë mbi atë që ndodhi në Laç.

Edhe ish-trajneri i Partizanit, Hasan Lika, gjatë një emisioni në “Supersport” ka shprehur habinë e tij për këtë qëndrim të klubit të kuq, e cila mund ta lërë atë në fund pa asnjë trofe.

“Mungesat e shumta në një ndeshje Kupe dhe përballja me lojtarë të rinj dhe pa eksperiencë, sigurisht që do të çonte në skualifikimin e Partizanit. Nuk e di sesi i kanë menduar gjërat. Por, çuditem sesi ka mundësi që Partizani nuk ka për objektiv Kupën, sepse gjithmonë, në çdo sezon, objektiva kanë qenë Kupa dhe kampionati”, ka deklaruar Hasan Lika.

Të zhgënjyer kanë mbetur edhe tifozët e Partizanit, të cilët kanë reaguar ashpër në rrjetet sociale. Pasi e kanë cilësuar një turp të madh ndeshjen në Laç, ata kanë shkruar se drejtuesit e këtij klubi po tallen me bluzën e kuqe dhe po e përdorin atë për përfitime personale.

“Ne jemi paragjykuar për atë çka ne kemi denoncuar, madje na kanë akuzuar sikur është faji ynë që tifozët nuk shkojnë nëpër stadiume. Faktikisht gjërat kanë një rrjedhë logjike, gjithçka ka të bëjë me cilësinë dhe seriozitetin, por edhe me gjithë këto aleanca. Për sa kohë do të vazhdojë kjo situatë unë tifozët i shoh larg, shumë larg stadiumeve”, deklaroi më tej Fatjon Kodra.

Top Channel