Romë, trazira të ultrasve të dehur të Feyenoord, 23 të arrestuar

19/02/2015 00:00

23 tifozë holandezë të Feyenoordit janë arrestuar, ndërsa 10 të tjerë janë ndaluar për shkak të trazirave dhe përplasjeve që kanë shkaktuar në qendër të Romës, në vigjilje të ndeshjes së vlefshme për Europa League, të programuar në “Olimpico”, ndaj verdhekuqve. Ndërkohë, 6 agjentë policie kanë pasur të nevojshme t’iu nënshtrohen kurimeve mjekësore.

Në operacionin e zhvilluar këtë pasdite, forcat ushtarake kanë sekuestruar dy shkopinj hekuri dhe disa kaska. Një tifoz ka tentuar të arratiset me taksi, por është bllokuar.

Kryeqyteti italian ka kaluar disa orë tepër të tensionuara pas përplasjes së forcave të rendit me ultrasit e Feyenoordit, në sheshin qëndror të Romës. Agjentëve iu është dashur të arrestojnë shumë tifozë holandezë të dehur, për të rikthyer qetësinë në “Campo de Fiori”. Shumë tifozë të tjerë janë ndaluar, pasi kanë hedhur shishe qelqi ndaj agjentëve. Ndërkohë, disa shitës dyqanesh përreth zonës kanë mbyllur bizneset e tyre për të shmangur problemet.

Alarmi është dhënë pasditen e së enjtes, pas mbledhjes së një numri të madh ultrasish të Feyenoordit në “Campo de Fiori”, e më pas kanë nisur të fyejnë kalimtarët dhe turistët. “Mijëra tifozë të dehur holandezë u mblodhën prej orësh në shesh dhe nisën të urinonin dhe të gjuanin me shishe ndaj vitrinave të bizneseve. U detyruam të mbyllnim dyqanet”, tha një shitës.

Në vendngjarje është dashur ndërhyrja e forcave të rendit. Nga Rotterdami mësohet të kenë mbërritur në Romë rreth 6 mijë tifozë, 400 prej të cilëve janë konsideruar si veçanërisht të rrezikshëm, të cilët madje nuk kanë pasur bileta hyrjeje në stadium.

Top Channel