Irak, operacioni për të rimarrë qytetin e Mosulit para verës

20/02/2015 00:00

Një operacion i përbashkët mes forcave irakiane dhe atyre kurde është duke u përgatitur për të rimarrë qytetin e Mosulit nga Shteti Islamik, ka thënë një zyrtar amerikan.

Operacioni për të rimarrë qytetin verior, i dyti për nga madhësia në Irak, do të zhvillohet në prill ose në maj. Zyrtari amerikan ka shtuar se në qytetin që kontrollohet nga ISIS ndodhen rreth 2 mijë militantë, ndërsa për të rimarrë atë do të angazhohen rreth 25 mijë forca.  

Mosuli, në të cilin banonin më shumë se 1 milionë njerëz, ra në duart e militantëve të ISIS në qershorin e kaluar. Zyrtari amerikan, i cili nuk është identifikuar, ka shtuar se është ende e paqartë nëse në operacion do të aktivizohen edhe forca amerikane në terren në mbështetje të irakianëve dhe kurdëve.

Zyrtari tha gjithashtu se operacioni duhet të zhvillohet para muajit maj, përndryshe i nxehti i verës do ta bënte të vështirë ndërhyrjen në terren, megjithatë ai shtoi se ai mund të shtyhen nëse forcat irakiane nuk do të jenë të gatshme deri në atë periudhë.

Më parë gjatë javës, foli për ndërhyrjen në Mosul edhe Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, i cili tha se po “planifikohet ofensiva në Mosul”.

Top Channel