Venezuelë, arrestohet lideri i opozitës, akuzohet për grusht shteti

20/02/2015 00:00

Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit të Venezuelës është arrestuar pas akuzave të ngritura për organizimin e një grushti shteti.

Presidenti Nicolas Maduro tha se Antonio Ledezma, njëkohësisht edhe lideri i opozitës, “duhet të përgjigjet për të gjitha krimet e kryera kundër paqes dhe sigurisë së vendit”.

Me qindra njerëz u mblodhën në selinë e agjencisë së zbulimit në Caracas për të protestuar mbi arrestimin e kryebashkiakut të Caracas

Ledezma ishte në listën e personave, të cilët javën e kaluar Maduro i akuzoi se tentuan të rrëzonin pushtetin. Një përfaqësues i opozitës tha se, “Lesezma është marrë nga zyrat e tij sikur të ishte një qen. Dyert u shembën dhe ai u arrestua menjëherë pa pasur asnjë urdhër arresti”.

Më shumë se 40 persona mbetën të vrarë një vit më parë pas protestave antiqeveritare. Ekonomia e Venezuelës është goditur nga rënia e ndjeshme e çmimit të naftës dhe në fund të janarit me mijëra qytetarë marshuan në Caracas përkrah opozitës. Ata shprehën pakënaqësi ndaj inflacionit të lartë, krimit dhe mungesës së mallrave në dyqane.

Top Channel