Banorëve të Vaut të Dejës u ndërpritet energjia elektrike

20/02/2015 00:00

Prej tre ditësh, banorëve të lagjes “Mllojë”, pranë hidrocentralit të Vaut të Dejës, u është ndërprerë energjia elektrike pasi rezultojnë të jenë debitorë ndaj OSHEE-së.

Por, banorët shprehen të revoltuar pasi ato ndodhen në gjendje të mjerueshme ekonomike dhe e kanë të pamundur të paguajnë energjinë dhe për më tepër kur shteti shqiptar, sipas tyre, prej dekadash është në borxh me to pasi nuk u dha kurrë dëmshpërblim për shtëpitë e prishura dhe tokat e zëna nga ndërtimi i hidrocentralit të Vaut të Dejës.

“As Bashkia nuk vjen të shohë situatën. Kanë 40 vite që na kanë marrë shtëpitë dhe tani guxojnë e na presin edhe dritat. Le të na i marrin edhe këto baraka ku jetojmë”, thotë një banor.
 
Banorët kërkojnë mëshirë dhe ndihmë pasi me gjendjen ku ndodhen, pa tokë dhe pa punë, e kanë të vështirë të ushqehen, jo më të paguajnë energjinë elektrike: “Nuk kemi mundësi ta paguajmë energjinë pasi nuk kemi të ardhura.”

Këto familje u zhvendosën nga fshati Mllojë në vitin 1971 pasi tokat e tyre u përmbytën nga ndërtimi i hidrocentralit të Vaut të Dejës. Që atëherë, këto familje u vendosën në disa ndërtesa modeste në formë barakash dhe nuk morën asnjëherë kompensim për tokat e zëna nga hidrocentrali.

Top Channel