25 000 luftëtarë për të marrë Mosulin nga ISIS-i

20/02/2015 00:00

Një forcë e përbashkët ushtarake irakiano-kurde prej 25.000 luftëtarësh përgatitet të rimarrë Mosulin nga duart e Shtetit Islamik. Nuk është një sipërmarrje e lehtë, e jo më kot numri i trupave të angazhuara për këtë qëllim është shumë herë më i lartë se ai i militantëve që kanë nën kontroll qytetin e dytë më të madh të Irakut.

Besohet se në Mosul nuk ndodhen më shumë se 2 mijë mbështetës të ISIS-it.

Qyteti verior i Irakut me më shumë se 1 milionë banorë u mor nga ISIS-i në muajin qershor. Nga sa pohojnë zyrtarë që preferuan të ruajnë anonimatin, asnjë vendim nuk është marrë ende përsa i takon nevojës për të dërguar apo jo një grup të vogël këshilltarësh ushtarakë amerikanë në terren. Sipas fjalëve të tyre, të gjithë luftëtarët e forcës së angazhuar për këtë qëllim, do të trajnohen nga Shtetet e Bashkuara.

Operacioni do të zhvillohet në muajt prill ose maj, përpara se të fillojë i nxehti i madh, megjithatë edhe mund të shtyhet nëse forcat irakiane të sigurisë nuk do të jenë gati për sulmin. Përcjellja e një informacioni të tillë siç është data, qoftë edhe me përafërsi e fillimit të mësymjes, është shumë e pazakontë, por Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se forcat e ISIS-it tani janë në tërheqje dhe Uashingtoni duhet të tregojë se përpjekjet e tij për rindërtimin e kapacitetit ushtarak irakian po japin fryte.

Planifikimin e një ofensive në Mosul e konfirmoi edhe kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi. Në një intervistë për BBC-në ai rrëfeu se shpreson që qyteti i rëndësishëm verior të çlirohet brenda pak muajsh, mundësisht me minimumin e viktimave.

Të tilla zhvillime vijnë në kohën kur krerët ushtarakë të më shumë se 20 vendeve u mblodhën të enjten në Arabinë Saudite për të diskutuar mënyrat e forcimit të ushtrisë irakiane kundër ISIS-it.

Top Channel