Nishani uron presidentin e ri grek, Stavropoulos

20/02/2015 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani uroi homologun e ri grek,
Prokopis Stavropoulos për detyrën e rëndësishme që i është ngarkuar.

“Në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të mira e të sinqerta për përmbushjen me sukses të kësaj detyre të rëndësishme.Përfitoj nga rasti të nënvizoj me kënaqësi se për Shqipërinë, Greqia është një partner strategjik shumë i rëndësishëm politik dhe ekonomik, si edhe të shpreh bindjen se gjatë presidencës Suaj, lidhjet e miqësisë e të bashkëpunimit që karakterizojnë marrëdhëniet midis dy vendeve tona do të njohin zhvillime të mëtejshme shumëdimensionale, në interes të zhvillimit dhe forcimit të miqësisë mes dy popujve tanë”, thuhet në mesazhin e Nishanit.

Nishani shprehet më tej, se Greqia, me përpjekjet dhe reformat që po ndërmerr, do të përballojë me sukses sfidat me të cilat po përballet aktualisht, si  dhe do të vijojë të jetë një mbështetëse e vazhdueshme dhe inkurajuese e agjendës evropiane të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Top Channel