Austria do të kthejë të gjithë azilkërkuesit nga Kosova

20/02/2015 00:00

Austria do t’i kthejë të gjithë azilkërkuesit kosovarë dhe nuk do t’u ofrojë leje pune, atyre që kanë emigruar ilegalisht. Ministrja federale e Punëve të Brendshme të Austrisë, Johanna Mikl-Laitner, tha gjatë vizitës në Prishtinë se shteti i saj do t’i trajtojë me shpejtësi kërkesat për azil dhe përgjigjet do të kthehen dhjetë ditë pas dorëzimit të aplikimeve.

Ajo shtoi se kthimi i kosovarëve do të bëhet çdo 14 ditë me avion “charter”. Këto komente, ministrja e Brendshme austriake i bëri pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

“Mesazhi im ndaj shoqërisë kosovare është që ikja e kosovarëve nga vendi duhet të merret me seriozitet. Nuk është e vërtetë që sapo të vini në Austri do të pranoheni për azil edhe do të gjeni një vend pune. Nuk është e sigurt që do t’iu njihet e drejta dhe gjithçka do të vazhdojë siç e keni menduar ju. E vërteta është se Kosova është një vend i sigurt, këtu nuk ka luftë, këtu mund të jetoni mirë edhe nëse kushtet e jetesës janë të vështira. Jemi të vetëdijshëm që duhet të punohet në aspektin ekonomik, por pikërisht muajt në vazhdim dhe vitet e ardhshme janë vendimtare për ju. Ju paralajmëroj që të mos u besoni këtyre mashtruesve, pasi qëllimi i tyre është vetëm pasurim i vetes së tyre”, tha Johanna Mikl-Laitner, ministre e Punëve të Brendshme të Austrisë.

Qëndrimi i Austrisë është prezantuar edhe në shtypin kosovar në formë publiciteti. Kryeministri Mustafa tha se Qeveria e Kosovës përkrah qëndrimin e Qeverisë austriake, që të mos u japë azil ekonomik qytetarëve të Kosovës, dhe është e interesuar që njerëzit të kthehen sa më shpejt. Mustafa theksoi se qytetarët e Kosovës nuk mund të krahasohen me njerëzit që shpërngulen nga vatrat e luftës.

“Ata i kanë shtëpitë këtu, i kanë banesat këtu dhe ata duhet të kthehen në vendin e tyre. Disa prej tyre i kanë edhe punët këtu, se kanë punuar dhe e kanë lëshuar punën për të emigruar. Duhet të kthehen sa më shpejt në mënyrë që të mos kenë probleme me marrëdhënien e punës. Shumë prej tyre i kanë nxjerrë fëmijët nga shkolla, që është dëmi më i madh, sepse fëmijët duhet të vazhdojnë të shkollohen, të vazhdojnë me gjeneratën”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Numri i azilkërkuesve në Austri në vitin 2014 ka qenë 1900, ndërsa vetëm në fillimin e këtij viti numri i tyre ka mbërritur në 1800. Sipas ministres austriake, rreth 30.000 konsiderohet numri i azilkërkuesve kosovarë në të gjitha vendet e BE-së. Ndërsa në kampet hungareze llogaritet se qëndrojnë 20 mijë kosovarë.

Top Channel