Bamir Topi sulmon Berishën: 25 vjet sekretar partie i Enverit dhe 25 vjet diktator

20/02/2015 00:00

Në 24-vjetorin e rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha në
Tiranë, kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, i ka kërkuar brezit
të ri të marrë në dorë fatet e veta dhe jo të varet nga klasa politike.

Gjatë një takimi me të rinj të partisë së tij, ish-presidenti ka sulmuar ish-kryeministrin Sali Berisha. Edhe pse nuk ia ka cituar emrin, Topi ka deklaruar se nuk mund t’u besohet njerëzve që kanë shërbyer si sekretar partie të Enver Hoxhës për dekada me radhë.

“Mos prisni asnjë dhuratë nga liderët prepotentë të partive, mos u përdorni për qëllimet e tyre. Mos prisni që kjo dhuratë t’u vijë nga ata persona, të cilët për 25 vjet kanë shërbyer si sekretar partie të ish-diktatorit dhe 25 vjet si diktatorë”, – u shpreh Topi, duke iu referuar Berishës.

Ish-presidenti, i dalë nga radhët e Partisë Demokratike, ka akuzuar sërish ish-kreun e PD-së, i cili sipas tij po prish seancat e Kuvendit.

Marrëdhëniet mes dy ish-miqve, Topi dhe Berisha kanë qenë të ndera gjatë viteve ku njëri ishte president dhe tjetri kryeministër.

Por ato u përkeqësuan pas ngjarjeve të 21 janarit 2011, ku Berisha e cilësoi presidentin e asaj kohe si “horr bulevardi” pas vrasjes së katër protestuesve para zyrave të qeverisë.

Pas mbarimit të mandatit të tij si kryetar shteti, Topi krijoi partinë, Fryma e Re Demokratike.

Top Channel