Balla, letër eurodeputetëve: Mos pengoni integrimin e Shqipërisë

20/02/2015 00:00

Në seancën e fundit plenare të janarit në Parlamentin Europian, tre
deputetë francezë të Frontit Nacional depozituan një projekt-rezolutë, e
cila kërkon ndalimin e menjëhershëm të negociatave për anëtarësimin e
Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Taulant Balla në cilësinë e Kryetarit të Delegacionit në Komitetin Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, përmes një letre u eshte drejtuar tre eurodeputetëve franceze  ku thotë: “Duke mos mundur t’i mveshni Shqipërisë epitetet e islamizmit, intolerancës, armiqësisë ndaj një tradite dhe një qytetërimi që pa pjesërisht dritën e djellit në tokën e saj të moçme, i pengoni rrugën drejt integrimit nën pretekste më pak të bujshëm: korrupsioni, instabiliteti ekonomik, pesha e trafiqeve të paligjshëm. Të këqija që në fund të fundit janë gangrena e vendeve të Europës nga Korsika në Siçili e nga periferitë e Parisit në qendër të Athinës”.

Duke parë ritmin e shfrenuar të rezolutave tuaja, deklaratave e pozicionimeve kundër rimëkëmbjes së projektit europian, – shkruan Balla,- kuptoj se lojrat politike nuk janë më një art, por një zanat i zvetënuar, edhe për një parti si e juaja, lluksi i së cilës ka qënë mos të ketë kurrë rastin për të ushtruar pushtetin dhe përgjegjësitë e vërteta.

“Megjithë këtë, ka lojra që në fakt janë të rrezikshme. Ndonëse Shqipëria vjen nga larg, me një të kaluar të dhimbshme, potencialet e saj janë të paprekura: popullsi e re në moshë, pasuri hidrike dhe minerare, monedhë e qëndrueshme dhe rritje ekonomike.Të përjashtosh Shqipërinë, thjesht për të shtuar një pikë më shumë në listën e gjatë të manifesteve për deshtimin e Europës të së ardhmes, është një llogari fort meskine, me një çmim ndoshta shumë të lartë”, thotë Balla.

Në fund të letrës Taulant Balla nënvizon: “Të godasësh pa dallim është, përgjithësisht, një strategji pa bereqet. Ëndrra europiane e Shqipërisë nuk ka nevojë për tu goditur. Këshillë prej miku: kapeni dorën e saj miqësisht dhe vllazërisht të shtrirë, si një shanc të vërtetë për rigjallërimin dhe rinovimin e Europës dhe jo si një makth artificial për të trembur votues në udhëkryq”.

Top Channel