PD kujton rënien e monumentit, Basha: Rama-Meta, simbol i diktaturës së re

20/02/2015 00:00

Ndryshe nga një vit më parë kur protestuan, demokratët kanë përkujtuar 24-vjetorin e rënies së monumentit të diktatorit Enver Hoxha, përmes një aktiviteti në sheshin Skëndërbej, shoqëruar me një ekspozitë fotografie me momentet e rrëzimit të bustit.

Megjithëse e ndryshme në formë, pak kanë ndryshuar mesazhet e kreut të demokratëve nga një vit më parë. Duke e quajtur këtë pushtet një devijim të pabesë nga akti i rënies së monumentit, Lulzim Basha tha se Enver Hoxha është modeli udhëheqës i kësaj qeverisjeje.

“Festimet e 70-vjetorit të regjimit komunist dhe glorifikimi i Hoxhës tregojnë admirimin për modelin represiv të pushtetit. Siç thotë Gandi, veprimet janë demonstrime të mendimeve tona”, deklaroi Basha.

Nëse për Bashën s’ka dyshim që po tentohet të rivendoset diktatura, përgjigjen ndaj saj ia la reagimit të përbashkët me qytetarët.

“A mund ta kthejnë këta vendin nga orientimi perëndimor në atë lindor? A do kenë sukses? Kjo do të varet nga ne. Nëse nuk i vëmë kufi së keqes, ajo rrezikon të përsëritet”, tha Basha.

Në ironizim të sloganit të ardhjes në pushtet të socialistëve, Basha tha se e vetmja rilindje e tyre është ajo e diktaturës.

“Enver Hoxha dhe nipërit e tij politikë, maniakë abuzivë të pushtetit, s’duhet të jenë pjesë e modeleve tona qeverisëse. Sot duhet të hedhim tutje modelin hoxhist të ithtarëve të pushtetit absolut”, u shpreh Basha.

Megjithëse vetëm një vit e gjysmë të larguar nga pushteti, demokratëve të drejtuar tani prej tij, Basha u përcaktoi një mision jo aq të ri, por lajtmotivin e ndryshimeve plot 24 vjet më parë.

“Është koha ta çojmë përfundimisht Shqipërinë në Evropë. Së bashku të çlirojmë Shqipërinë nga e keqja dhe ta kthejmë në rrugën e çlirimit. Rroftë Shqipëria! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, shtoi Basha.

Top Channel