Studiuesit amerikanë: Kafja, në dietën ditore

20/02/2015 00:00

Konsumimi i përditshëm i kafes mund të na mbajnë larg doktorëve, bën të ditur një panel shkencëtarësh i ngritur nga qeveria amerikane, me detyrën për të propozuar ndryshime në udhëzimet dietike amerikane. Vetëm… kujdes me sheqerin!

3 ose 5 filxhanë kafeje të përditshme nuk lidhen aspak me rreziqe shëndetësore afatgjata, përkundrazi, kanë lidhje me reduktimin e rrezikut për sëmundjet e zemrës dhe të diabetit të tipit 2. Paneli ka ndihmuar qeverinë amerikane të formulojë sugjerimet dietike, udhëzime të cilat prekin miliona amerikanë në dietë.

“Kafeja është një gjë e mirë”, thotë Tom Brenna, anëtar i komitetit qeveritar, por edhe nutricien në Universitetin Cornell. “Nuk dua të arrij deri aty sa të them se kafja kuron kancerin, askush nuk e mendon këtë gjë”, shtoi ai. “Por, nuk ka asnjë provë për ndikimin në rritjen e rreziqeve shëndetësore”.

Komiteti Këshillues për Udhëzimet Dietike, një panel i paanshëm akademikësh dhe shkencëtarësh, jep sugjerime ndaj agjencive amerikane, përfshi Administratën Ushqimore dhe të Ilaçeve, por edhe Departamentin e Agrikulturës. Udhëzimet qeveritare të dala prej tij influencojnë programet federale të ushqimit dhe çështje lokale si drekat nëpër shkolla. Udhëzime të së kaluarës nuk i kishin adresuar efektet shëndetësore të kafeinës.

Shtetet e Bashkuara janë vendi konsumator më i madh në botë i kafesë, sipas “USDA”. Vitin e kaluar, amerikanët të cilët pijnë kafe konsumojnë rreth 1,7 filxhanë në ditë mesatarisht, krahasuar me 1,4 të një dekade më parë, sipas shifrave të përllogaritura nga “Cedarhurst”, një grup studiuesish me seli në Nju Jork.

Top Channel