Kalendari i përbashkët kulturor, Kumbaro në Prishtinë

20/02/2015 00:00

Për të dytin vit me radhë, në Prishtinë është nënshkruar kalendari i përbashkët kulturor mes Ministrive të Kulturës të Kosovës dhe Shqipërisë, si pjesë e marrëveshjes ndërqeveritare mes dy vendeve.

Ministri kosovar i Kulturës, Kujtim Shala tha se bashkëpunimi ndërshtetëror është një veprimtari thelbësore, me anë të të cilës synohet avancimi dhe promovimi i kulturës kombëtare brenda dhe jashtë hapërsirës kombëtare.

“Veprimtaria e përbashkët kulturore, sipas kalendarit të përcaktuar në fushën e librit, teatrit, trashëgimisë, filmit, arteve muzikore dhe atyre pamore kërkon vullnet dhe punë të madhe të institucioneve të të dyja vendeve. Mirëpo, mbi parimin se, tërësi do të thotë bashkim i pjesëve, atëherë besojmë se realizimi i projekteve të kalendarit dhe shtimi cilësor i aktiviteteve në të ardhmen do të thotë vlerësim, mbrojtje dhe nderim i veprimtarisë kulturore nacionale në përgjithësi”, deklaroi ministri Shala.

Nga ana tjetër ministrja shqiptare Mirela Kumbaro tha se kalendarin kulturor nuk e bëjnë institucionet, por njerëzit e kulturës, duke përmendur këtu interpretimin e sopranos kosovare Besa Llugiçi në Tiranë, veprat e piktorit Muslim Mullqi të sjella nga Tirana në Prishtinë dhe stendën e përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë në Berlinale. Kumbaro bëri të ditur disa nga aktivitetet e përbashkëta kulturore të parashikuara për këtë vit.

“Ky është vetëm fillimi i një viti që premton shumë. Premton sepse do të kemi Festivalin mbarëkombëtar Folklorik në Gjirokastër, që dy ministritë tona do mbështesin; kemi ngjarje dhe nisma disa prej të cilave kanë filluar, siç është Dokufesti, të cilin vjet të dy ministritë e mbështetën ashtu si shumë aktorë të tjerë. Do të kemi skena dhe produksione të përbashkëta, si në teatrin e Prishtinës, ashtu edhe në atë të Tiranës. Pra, le të themi që jemi në rrugë të mbarë si në fushën e biblioktekës, ashtu dhe në fushën e trashëgimisë, ku trajnimet e përbashkëta do të vazhdojnë. Axhenda jonë është e pasur”, tha Kumbaro.

Axhenda në fjalë pritet të bëhet publike plotësisht në ditët në vijim nga të dy ministritë.

Top Channel