Kosovë, bie numri i të infektuarve me tularemi

20/02/2015 00:00

Numri i pacientëve të infektuar me tularemi, e njohur ndryshe si sëmundja e minjve dhe lepujve, ka shënuar rënie në dy ditët e fundit, por niveli i epidemisë është ende në fuqi.

Kjo u konfirmua për Top Channel nga drejtori i klinikës infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Hamdi Ramadani.

Doktor Ramadani tha përmes telefonit se aktualisht janë 24 pacientë që po trajtohen në klinikën infektive, ndërsa nga muaji janar në këtë sektor janë trajtuar 100 persona.

Ramadani tha se ngritja e temperaturave ditëve të fundit ka ndikuar në zvogëlimin e numrit të personave të infektuar me tularemi dhe shtoi se pritet një rënie edhe më e madhe gjatë javëve në vazhdim.

Në fillim të muajit shkurt Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë shpalli epideminë e tularemisë në shkallë vendi. Ky vendim u mor për të sensibilizuar popullatën në mënyrë që të krijohen kushte për parandalimin e përhapjes së saj.

Top Channel