Tajlanda ndalon shtatzëninë për përfitime

20/02/2015 00:00

Tajlanda miratoi një ligj që u ndalon femrave vendase që të ngjizen e lindin fëmijë për llogari të të huajve, pas dy rasteve publike që shkaktuan debat vitin e kaluar.

Ligji ndalon edhe ndërmjetësuesit apo çdo lloj a formë tjetër reklamimi të femrave që janë të gatshme të sjellin në jetë një fëmijë për llogari të një çifti të huaj, kundrejt një shume të caktuar parash.

Vitin e kaluar, një djalë i lindur me sindromën “Down” u braktis prej prindërve ‘porositës’ australianë, që morën vetëm motrën e tij binjake që ishte e shëndetëshme.

Me ligjin e ri, vetëm çiftet tajlandeze, ose çiftet me një partner tajlandez që janë të martuar për një periudhë prej të paktën 3 vitesh, mund të aplikojnë për këtë praktikë dhe shtatzënia për arsye përfitimesh është e ndaluar.

Çdokush që kapet duke ‘punësuar’ një nënë surrogate dënohet deri në 10 vite burgim, po ashtu edhe ndërmjetësuesit apo agjentët.

Rasti i djalit të lindur me sindromën “Down” u bë publik vitin e kaluar pas vendimit të dy prindërve australianë për të marrë vetëm motrën e tij binjake të shëndetëshme dhe për ta lënë atë në Tajlandë.

Më vonë atij iu dha shtetësia australiane për të patur akses për një mjekim më të mirë. Por ky aktivitet mjaft fitimprurës për shumë femra tajlandeze u vendos akoma më shumë në qendër të kritikave pas publikimit të një tjetër rasti, ku një japonez figuronte baba i dhjetra fëmijëve, që dyshohet se janë trafikuar.

Top Channel