Përvjetori i trazirave në “Maidan”, Poroshenko akuzon Rusinë për vrasjet me snajper të protestuesve

20/02/2015 00:00

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko akuzoi Rusinë për përfshirje të drejtpërdrejtë në vrasjet me snajpera të dhjetëra protestuesve në sheshin qëndror të Kievit, vitin e kaluar. Ai foli përpara turmës së mbledhur në përkujtim të përvjetorit të parë të përplasjeve mes protestuesve dhe policisë, pas të cilave u rrëzua nga pushteti ish-presidenti Viktor Yanukovich.

Një prej ndihmësve më të lartë të Kremlinit, Vladislav Surkov, ishte organizator i të shtënave me snajper, pretendon Poroshenko. Një deklaratë, ndaj së cilës qeveria ruse ka reaguar menjëherë duke e hedhur poshtë e duke e quajtur “të pakuptimtë”.

Më shumë se 100 persona mbetën viktima të dhunës në sheshin qëndror “Pavarësia” të Kievit, i njohur edhe si “Maidan”, një vit më parë. Revolta anti-Yanukovich u quajt më pas “revolucioni euromaidan”, pasi turma e mbledhur kërkonte nënshkrimin e paktit me Bashkimin Europian, ndërsa ish-presidenti nënshkroi në fakt një pakt me Rusinë.

Në një fjalim nga sheshi “Maidan”, këtë të premte, presidenti Poroshenko dënoi kryengritjen e rebelëve prorusë në lindje të vendit. Më herët, ai u tha të afërmve të viktimave të “Maidan”-it se, bazuar burimeve ukrainase të sigurisë, “ndihmësi presidencial rus Vladislav Surkov udhëhoqi grupin e snajperave të huaj në sheshin Maidan”.

Ai foli vetëm dy ditë pasi ushtria e tij u tërhoq nga qyteti kyç i Debaltseve, tashmë në duart e rebelëve, një udhëkryq rrugor dhe hekurudhor mes dy rajoneve lindore të Donjeckut dhe Luhanskut.

Pas fjalimit të Poroshenkos nisi edhe koncerti në “Maidan”, ku pritet të ketë poezi, një kor që do të këndojë himnin kombëtar dhe një performancë të “Requiem” të Moxartit, nga Orkestra Simfonike Kombëtare e Ukrainës.

Yanukovich, një aleat politik i Moskës, u largua në ekzil në fund të shkurtit 2014, por shumë shpejt u rishfaq nga qyteti jugor i Rusisë, Rostov-on-Don. Ai pretendon se u rrëzua nga një “grusht shteti i jashtëligjshëm” dhe fajësoi “fashistët”, të cilët erdhën në pushtet në Kiev për këtë.

Për javë të tëra, mes të ftohtit të acartë gjatë dimrit 2013-2014, sheshi “Maidan” u kthye në një kamping tepër të madh dhe të mbipopulluar nga protestuesit e “euromaidanit”, të cilët përpiqeshin të mbanin larg policinë përmes barrikadave dhe djegies së gomave.

Shumica e atyre të vrarë në përplasjet e “Maidan”-it u qëlluan nga snajpera, teksa disa policë me uniformë u filmuan duke qëlluar ndaj protestuesve. Një armëpushim për rajonin e rrënuar nga lufta në lindje të Ukrainës, e nënshkruar në Minsk më 12 shkurt, vazhdon të jetë në fuqi por tepër e brishtë, pasi bombardimet vijojnë në disa zona. Një bombardim intensiv i rebelëve detyroi rreth 2500 trupa qeveritare të tërhiqeshin nga Debaltseve, ndërsa dhjetëra të tjerë u dorëzuan gjatë rrethimit.

Qeveria ukrainase, udhëheqësit e Perëndimit dhe NATO kanë bërë të ditur se ka prova të qarta dhe të pakundërshtueshme, se Rusia ka ndihmuar rebelët me armatime të rënda dhe ushtarë. Ekspertë të pavarur u bëjnë jehonë gjithashtu këtyre akuzave. Moska i mohon ato, duke këmbëngulur se rusët që gjenden në krah të rebelëve janë “vullnetarë”.

Presidenti francez, Francois Hollande, i cili ndihmoi në ndërmjetësimin e marrëveshjes së Minskut, tha se “nuk kishte ende konfirmime për hyrjen e mjeteve të blinduara, por kjo nuk e përjashton mundësinë. Armëpushimi është shkelur disa herë, veçanërisht në Debaltseve, edhe pse duhet të respektohet në tërësi”, tha ai në një konferencë për shtyp.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila negocioi së bashku me Hollande në Minsk, tha se trupa e sigurisë së OSBE-së “duhet të ketë qasje, në mënyrë që armatimet e rënda të tërhiqen” nga fronti i luftës, në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit.

Ajo paralajmëroi për sanksione të tjera nga BE kundrejt Rusisë, nëse shkeljet e armëpushimit do të provohen, por thekson se “synimi kryesor i bisedimeve të Minskut nuk ishin sanksionet”.

Ukraina do ta kujtojë 20 shkurtin për vite e vite të tëra. Ajo ditë rezultoi si pikë kthese për protestat antiqeveritare, që fituan mbështetje përgjatë gjithë dimrit. Gjithçka nisi si një miting paqësor kundër vendimit të presidentit Yanukovivh për të anuar Ukrainën sërish drejt Rusisë, duke shkëputur lidhjet e saj të reja pro-europiane, gjë që përfundoi ashtu siç dihet tashmë.

Diktati i Yanukovich mori fund, por çmimi ishte shumë i lartë: më shumë se 100 të vdekur në përplasje, të cilët tashmë kujtohen si “100 shenjtorët”. Shumica e tyre u vranë më 20 shkurt, dita e fundit dhe më dramatikja e protestave. Një vit më pas, njerëzit janë duke u mbledhur sërish në “Maidan”, për të nderuar ata që dhanë jetën duke luftuar për një Ukrainë më të mirë.

Top Channel