Suedia i jep fund programit ndaj emigrantëve punëkërkues: rekrutoheshin militantë

20/02/2015 00:00

Qeveria suedeze ka vendosur të mbyllë programin nëpërmjet të cilit u vinte në ndihmë emigrantëve të rinj me trajnime gjatë periudhës që figuronin si punëkërkues, pas shqetësimeve dhe ankesave se ai po shfrytëzohej për të rekrutuar njerëz në favor të grupeve militante, bëri të ditur një zyrtar i lartë gjatë së premtes.

Vendimi vjen disa ditë pasi një i armatosur vrau dy persona në Danimarkën fqinje, në një event që po mbahej në një sinagogë e që promovonte lirinë e të shprehurit, duke shtuar shqetësimet në lidhje me kërcënimet nga militantë të rritur brenda territoreve të rajonit të gadishullit Skandinav.

“Jemi sinjalizuar nga pjesëmarrësit, se trajnuesit janë përpjekur t’i rekrutonin ata për organizatat terroriste”, tha Patrik Svensson, zëdhënës i Agjencisë Kombëtare të Punësimit, e cila e organizon këtë skemë, duke shtuar se qeveria ia ka kaluar këtë informacion shërbimeve suedeze të sigurisë për t’i hetuar.

Svensson tha se makineria e pretenduar e rekrutimeve mund të jetë e lidhur me grupin e Shtetit Islamik, që kontrollon rajone të tëra në Irak dhe Siri, e që së fundi ka hyrë edhe në Libi.

Rreth 32 mijë punëkërkues dalin përpara një trajnuesi bazuar mbi skemën në fjalë, që u prezantua fillimisht në vitin 2010 për të adresuar papunësinë e lartë mes emigrantëve të rinj.

Suedia ka përjetuar një tentativë të dështuar bombëvënieje në Stockholm, 4 vjet më parë, si dhe dënimin përgjatë 2012-s të 3 shtetasve suedezë, të cilët po thurnin komplote për të vrarë njerëz të pafajshëm në një gazetë daneze, e cila kishte publikuar karikaturat e Profetit Muhamed.

Top Channel