Tre vajza nga Britania udhëtojnë për në Siri

20/02/2015 00:00

Policia britanike ka zbuluar se tre vajza nga zona lindore e Londrës kanë udhëtuar drejt Turqisë, prej nga druhet se mund të kalojnë kufirin për në Siri dhe t’i bashkohen grupit terrorist Shteti Islamik.

Shamima Begum, 15 vjeç; Kadiza Sultana, 16 dhe një vajzë tjetër e paidentifikuar, të treja nxënëse shkolle, udhëtuan nga aeroporti Gatwick ditën e martë.

Komandanti i policisë metropolitane, Richard Walton shprehu shqetësimin se vajzat janë jashtëzakonisht të manipulueshme.

Të treja ato janë mikesha me një vajzë të katërt që udhëtoi për në Siri në muajin dhjetor. Në atë kohë, vajzat ishin marrë njëherë në pyetje.

Komandanti Walton deklaroi se kanë kontaktuar familjarët e adoleshenteve, të cilët janë shprehur “të shkatërruar” nga lajmi, por ekziston mundësia që ato të jenë ende në Turqi.

Zyrtari i lartë shprehu shpresën e tij se një apel i policisë përmes rrjeteve sociale do t’i bindë ato që të mos hyjnë në Siri.

Kontakti i fundit me familjet e tyre ishte mëngjesi i së enjtes, kur tre vajzat u dhanë prindërve arsye të besueshme për të dalë, saktësoi më tej Walton.

Ato hipën në bordin e një avioni të “Turkish Airlines”, që u ul në Turqi të martën pasdreke. Emri i vajzës së tretë nuk është publikuar me kerkesë të familjarëve të saj. Ato kanë udhëtuar me emra të rremë.

Autoritetet britanike prej kohësh shprehin shqetësimin e tyre për trendin në rritje të vajzave të reja që shfaqin interes për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.

Shamima dhe vajza 15-vjeçare që nuk u identifikua, u denoncuan si të humbura nga familjet e tyre pasditen e së martës, ndërsa Kadiza të mërkurën në mëngjes. Pas një seri hetimesh, policia arriti në gjurmët e tyre.

Top Channel