Nigeri, 160 pengje të Boko Haram u kthehen familjeve

20/02/2015 00:00

Një grup prej 158 grash dhe fëmijësh të rrëmbyer nga militantët e grupit Boko Haram në veri-lindje të Nigerisë në fund të dhjetorit janë kthyer tek familjet e tyre.

Ato u rrëmbyen gjatë një sulmi në fshatin Katarko të shtetit të Jobes dhe kaluan më shumë se një muaj në robëri.

Rrethanat e lirimit të tyre në ditët e fundit janë ende të paqarta, por ato tashmë ndodhen nën kontrollin e autoriteteve për këshillim dhe rehabilitim.

Autoritetet thanë se bashkimi me familjet ndodhi në kryeqytetin Damaturu.

Në prill të vitit të kaluar, rebelët e Boko Haram shkaktuan një irritim në mbarë botën pasi rrëmbyen mbi 200 vajza nga një shkollë në një prej qyteteve të Nigerisë.

Nxënëset në fjalë nuk janë shpëtuar ende, pavarësisht asistencës ushtarake dhënë trupave vendase nga SHBA, Britania, Franca dhe Kina.

Nga 158 personat që u kthyen tek familjet e tyre, 62 ishin gra të martuara ndërsa pjesa tjetër fëmijë, saktësoi një zyrtar vendas. Sipas tij, bashkëshortët e 16 grave u vranë nga militantët gjatë sulmit të pengmarrjes.

Ndërkohë, një nga të rrëmbyerit, që zgjodhi të ruante anonimatin, tha për gazetarët se ishin trajtuar njerëzisht nga militantët.

Top Channel