Cilësia e grurit nga Serbia alarmon Kosovën

20/02/2015 00:00

Cilësia e grurit të importuar nga Serbia ka alarmuar sërish institucionet e Kosovës. Alarmi erdhi pas publikimeve në media se gruri që importohet për konsum të kafshëve bluhet në miell dhe u shitet njerëzve.

Kryeministri Isa Mustafa ka urdhëruar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë që menjëherë të ngrejë një komision të pavarur me profesionistë, të cilët do të marrin mostra për analizë.

Mustafa ka kërkuar që mostrat të dërgohen në institute të besueshme shkencore në vendet e Bashkimit Evropian, me qëllim që të sqarohen dyshimet e ngritura dhe të sigurohet që qytetarët e Kosovës konsumojnë produkte të cilësisë së mirë dhe sipas standardeve ndërkombëtare.

Për të sqaruar situatën, të premten kanë mbajtur një konferencë të përbashkët shtypi Doganat e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Zëdhënësi i doganave, Adriatik Stavileci ka shpjeguar se kompanitë importuese të grurit i paraqesin të dhënat në doganë pasi bluhet gruri. Sipas tij, në këtë mënyrë në të dhëna figuron se nga ai grur ka dalë një sasi miell dhe krunde.

“Domethënë, importi nuk ndodh faktikisht në kufi por ndodh pasi prodhuesi e bluan grurin. Edhe ajo në statistika në atë moment pasqyrohet si import. Çdo import gruri që bëhet në Kosovë bëhet me një çertifikatë që lëshohet nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, sepse dogana nuk është autoritet kompetent që e shikon cilësinë e grurit”, ka deklaruar Stavileci.

Në emër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, zëdhënësi Lamir Thaçi ka garantuar se inspektorët e tyre e monitorojnë dhe bëjnë analiza të vazhdueshme për të garantuar sigurinë ushqimore.

“Gruri që është importuar në Kosovë, në aspektin e sigurisë është plotësisht i sigurt për konsum dhe i përgjigjet edhe vetë deklaratës për çfarë hyn. Ne, përveç mostrave që merren në kufi, marrim mostra edhe tek prodhuesit e brendshëm, marrim mostra për analiza edhe për miellin që eksportohet dhe të gjitha këto rezultate laboratorike, sikurse në rastin e mëhershëm me Shqipërinë, kanë dëshmuar se mielli i përgjigjet të gjitha kushteve apo standardeve evropiane të kërkuara”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi ka shtuar se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të zhvillojë analiza të reja që do të kryhen në laboratorë jashtë vendit, ashtu siç ka kërkuar dhe kryeministri Mustafa. Ai ka prezantuar edhe vërtetime të lëshuara nga inspektorët nëpër dogana për ngarkesat me grurë që futen në Kosovë.

Agjencia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që nëse hasin në ndonjë produkt të dyshimtë, qoftë miell apo produkt të miellit, të njoftojnë menjëherë autoritetet.

Top Channel