Vokalisti i “Iron Maiden” vuan nga kanceri

20/02/2015 00:00

Bruce Dickinson, vokalisti i bandës muzikore “Iron Maiden” njoftoi se po kurohet nga kanceri.

56-vjeçari njoftoi në faqen zyrtare të bandës të gjithë fansat se prej disa javësh ndodhej nën një trajtim intensiv me kimioterapi ndaj sëmundjes së rrezikshme, por shton se sëmundja është kapur në fazë të hershme dhe mundësitë për të mposhtur atë janë të mëdha.

“Po marr kurim për kancer në gjuhë. Sëmundja është kapur në fazat e para dhe prognozat janë tejet pozitive”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin zyrtar thuhet se Bruce pritet të përfundojë kurimin dhe të shërohet plotësisht në muajin maj dhe deri atëherë kërkohet durim dhe respektim të privatësisë prej fansave.

Bruce Dickinson iu bashkua bandës muzikore si vokalist kryesor në vitin 1981. Në vitin 1993 ai u shkëput për të provuar suksesin i vetëm dhe në vitin 1999 u rikthye sërish.

Top Channel