Greqia dhe BE kanë arritur të bien dakord për marrëveshjen e huasë dhe kohëzgjatjen e saj pas një seri zhvillimesh dramatike në samitin e Eurogrupit, që filloi me tre orë vonesë.

Nga mediat ndërkombëtare, që citojnë burime zyrtare nga Brukseli dhe Athina, mësohet se dy palët kanë rënë dakord për zgjatjen e programit të ndihmave me 4 muaj.

Ministri holandez i Financave, Jeroen Dijsselbloem, shef i Eurogrupit, ka deklaruar se Greqia ka përsëritur angazhimin e saj për të respektuar të gjithë borxhin në përputhje me afatet.

Marrëveshja largon rrezikun e menjëhershëm që Greqia të mbetet pa gjendje financiare muajin e ardhshëm. Gjithashtu, ajo i siguron një “moment frymëmarrjeje” qeverisë së re greke që kërkon të negociojë për lehtësi më afatgjata për borxhin me kreditorët e saj evropianë.

Menjëherë pas njoftimit të arritjes së akordit monedha e përbashkët evropiane fitoi terren ndaj dollarit amerikan. Sebastien Galy, analist në bankën franceze “Societe Generale”, deklaroi:

“Është e dukshme që po i largohemi katastrofës. Marrëveshja duhet të ndikojë në lehtësimin e stresit nën të cilin kanë qenë tregjet financiare”.

Para fillimit të takimit të Eurogrupit u zhvilluan negociata të veçanta mes përfaqësuesve të Athinës dhe Gjermanisë, që kundërshtuan letër-kerkesën greke për zgjatjen gjashtëmujore të programit të huasë, me ndërmjetësimin e Diijselblom.

Më herët kryeministri Tsipras i kishte telefonuar presidentit të BE-së,
Donald Tusk duke i deklaruar se, nëse nuk do të arrihej sot një rezultat
pozitiv për Greqinë, ai do të kërkonte një samit të jashtëzakonshëm të
BE të dielën në mbrëmje.

Top Channel