Një pasdite me Zerina Kuken

20/02/2015 00:00

Si çdo të premte pasdite, në “Pasdite në Top Channel” jemi mësuar të kemi nga një të ftuar special për intervista, por e veçanta e kësaj jave ka qenë pikërisht ftesa e këtij personazhi nga regjisori i mirënjohur Albert Minga, “Mjeshtër i madh”.

E gjitha kjo e treguar me një retrospektivë, kur Minga ishte në terren për të gjetur njerëzit e famshëm të ekraneve, e kur gjërat bëheshin ndryshe: shkohej shkollë më shkollë dhe klasë më klasë, për të zgjedhur fytyrat e ardhshme të ekranit, por në fund të duhej edhe miratimi i prindërve.

Brezi i sotëm i televizioneve shpesh i quan audicione të tilla kërkime, ndërkohë që një brez pak më i madh në moshë, që kërkonte dikur për këta talente, e konsideronte këtë proces si kinoprovë. Asgjë që ndodhte në Televizionin Shqiptar në fakt nuk ishte e rastësishme, por bëhej në bazë të kërkesave profesionale, kishte grupe pune që përpiqeshin të gjenin aktorë për xhirimin e filmave, por e njëjta procedurë ndiqej edhe për prezantuesit e moderatorët televizivë, të cilëve nuk iu mjaftonte vetëm kriteri i pamjes fizike, por u duhej edhe aspekti intelektual.

“Njëherë isha për të kërkuar në shkollën ‘Sami Frashëri’, sepse mbahej si gjimnazi me femrat më të bukura nga të tjerët, dhe çfarë gjeta lind pyetja? Një vajzë jashtëzakonisht simpatike, shumë të bukur, esmere, me një trup të bukur dhe flokë të zinj, dhe mbi të gjitha me një ngrohtësi fantastike. Një femër fantastike dhe një vajzë e shkëlqyer. Por, ç’ndodhi më pas me këtë portret? Jo rallë, ne regjisorëve na ndodh përputhja mes vizionit e imazhit, me atë që duhet të ketë në kokë aktori, apo në rastin konkret moderatori, për të qenë i mençur dhe për të thënë gjëra të bukura. Për fatin tim të mirë, por edhe për fatin e televizionit, puna jonë u krye në mënyrë të shkëlqyer, sepse gjetëm vajzën që i plotësonte të gjitha parametrat, pa shumë mund dhe sakrifica, duke e marrë nga jeta urbane e duke e vendosur drejtpërdrejt përpara kamerave televizive… dhe ishte perfekte”, shpjegon regjisori Albert Minga, i cili paralajmëroi shikuesit e emisionit se “nuk do të zhgënjeheshin edhe kur ta shikonin atë pas shumë vitesh”.

Por për cilën bëhej fjalë? Ishte Zerina Kuke!

Hapat e parë drejt ekranit

Ishte 16 vjeç, gjimnaziste në shkollën “Sami Frashëri”, kur ndërsa bëhej një përzgjedhje në shkolla, Albert Minga e pikasi. Minga u desh t’i merrte lejen e të atit në shtëpi, e pas provës u përzgjodh. Ishte viti 1968.

Ajo ishte spikere, hapte dhe mbyllte programin. Atë kohë ishte fat të punoje në TVSH, ishte një ekip i vogël jo më shumë se 20 e pak veta. Duke qenë në status “VIP”-i kishte dhe privilegje të tipit: nëse shoqet dhe shokët e saj duhej të flinin në zbor, ajo mund të kthehej e të flinte në familje. Ishte një natyrë e butë, emotive.

Ndërkohë, në gjimnaz ishte përfshirë edhe në teatrin e shkollës. Kishte bërë rolin e Shkurte Pal Vatës, regjisor i së cilës ishte atëherë studenti Mirush Kabashi.

Ka drejtuar shume festivale. Ka qenë prezantuese edhe te “Dekadat e Majit” dhe kujton se sa vështirë ishte të gjeje veshjet. Ose do i merrje te NPV-të, që bënin veshje për eksport, ose te mikeshat. Kujton sandalet e Brikena Çabejt, dhe fustanin e Rozeta Uçit.

A ndihej e emocionuar para Enver Hoxhës? Ndihej, por ama e shikonte në sy.

Në televizion ka drejtuar cikle për librin, për muzikën dhe ka qenë prezente deri për “Ethet”, ku nuk ishte vetëm pjesë e jurisë. Ndërkohë në televizion ka bërë drejtuesen e emisionit, skenaristen.

Televizioni dhe Pali

Pas një muaji që kishte filluar, në studion e TVSH-së hapet dera dhe hyn Pali Kuke.

Në TVSH kishte shumë çifte. Duke qenë ekip i ri, që sapo ishte ngritur, edhe punë kishte shumë. Ata punonin që nga mëngjesi deri në darkë dhe kështu s’kishe mundësi për t’u njohur me dikë jashtë grupit.

Ndaj Palit është ndjerë nën presion, pasi ai është imponues në natyrë. Kur ka dalë për herë të parë në festival, ajo është njoftuar nga një telefonatë vetëm pak ditë para, dhe Pali i thoshte se s’mund të dilte pa prova. Ishte Festivali i 16, të cilin ajo e ka prezantuar me Ndriçim Xhepën.

Me Palin ka pasur bashkëpunime edhe në punë, por si gazetarë. Nuk e ka tentuar kurrë filmin.

Jashtë ekranit

Zerina ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi dhe më pas kursin pasuniversitar për Kritikë Letrare. Ka punuar për 17 vjet te Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” dhe ka bërë shumë emisione për librin dhe për muzikën. Librin e ka dashur shumë. Fëmijërinë e ka kaluar me librat e Mitrush Kutelit, lexonte libra të verdhë.

Ndërkohë, më pas ka punuar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, ku ka themeluar me ekipin e saj “Panairin e Librit”, ka organizuar ekspozita të shumta të piktorëve shqiptarë e kosovarë.

Më pas ka punuar te Qendra e Kulturës së Ushtrisë, ku ka organizuar koncerte shumë të mëdha. Tani është në pension.

Zerina dhe familja

Zerina ka dy djem, Ergin dhe Erin. Për rritjen e fëmijëve e ka ndihmuar mamaja e Palit. Madje, kujton se ajo dhe kolegët e saj ktheheshin me çanta në duar, pastronin shtëpinë e më pas dilnin dhe në televizion. Gjithmonë ka pasur dy punë njëkohësisht. Vetëm nga 1996 e tutje ka gatuar.

Ergi tani është 40 vjeç, është një emër i njohur tashmë, kandidat i çmimit “Emmy”. Që fëmijë ka qenë një djalë i mbarë, që mësonte shumë. Adoleshenca ishte pak më delikate, më e vështirë.

Eri është 35 vjeç dhe ka një studio. Zerina është e afërt me djemtë, e marrin vazhdimisht në telefon.

Suksesi i Ergit

Ergi kandidoi për çmimet “Emmy”.

Zerina dhe bukuria

E ka tmerr ta ftojnë nëpër emisione ku flitet për bukurinë. Megjithatë është e kujdesshme, edhe pse bukurinë ia dedikon genit. Megjithëse ka kundër të gjithë familjen, ajo nuk është kundër ndërhyrjeve që nuk të transformojnë.

Rikthimi në ekran?

E ndjen veten me shumë energji dhe, sigurisht, po t’i jepej mundësia do të rikthehej në ekran. Sipas asaj, gratë shqiptare janë të jashtëzakonshme dhe bëjnë shumë gjëra në të njëjtën kohë.

Letrat për emrin e rrallë dhe fansat e Zerinës

Letrat e shumta që merrte Zerina, nga njerëzit që donin t’i vinin këtë emër vajzës së tyre, si dhe… Historia e fansit të çmendur, që donte të martohej me Zerinën.

Top Channel