Llalla: Autorët e tritolit, së shpejti para drejtësisë

20/02/2015 00:00

Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla garantoi se ngjarjet me tritol kundër babait të ministrit të Brendshëm dhe kryekomisarit Alfred Nomani janë afër zbardhjes së të vërtetës.

“Prokuroria shqiptare për të gjitha ngjarjet ka filluar dhe po vijon hetimet në bashkëpunim me të gjitha strukturat shtetërore që ka në varësi, Policinë e Shtetit, SHISH dhe besoj se shumë shpejt do të kemi të dhëna konkrete për ngjarjet të cilat kanë shqetësuar dhe kanë tronditur vendin”, deklaroi Llalla.

Duke kërkuar hetime intensive, Llalla përfitoi nga takimi me prokurorët e Shkodrës për të folur me gjuhën e një prokurori për rrymat e krimit që qarkullojnë në këtë qark.

“Territori në të cilin ushtron funksionin Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër ndodhet në një pozicion të tillë gjeografik, ku ndërthuren interesa të mëdha ekonomike, të cilat shpesh herë krijojnë përplasje mes grupeve, klaneve ekonomike dhe individëve që përfaqësojnë grupime kriminale dhe që pas tyre kanë biznese të dyshimta”, nënvizoi Llalla.

Por për të patur një prokurori efikase dhe që të godasë krimin në kohë, kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori u shpreh se duhet të kemi një prokuror me rol të fortë.

“Unë mendoj se duhet të forcohet pesha, roli dhe funksioni, në radhë të parë i prokurorit të përgjithshëm, që të kenë më shumë operativitet”, sugjeroi Zaganjori.

Gjatë inaugurimit të godinës së re të Prokurorisë së Shkodrës, kryeprokurori Llalla njoftoi se ka përfunduar evidentimi i familjeve të ngujuara.

“Janë 25 familje me gati 30 pjesëtarë të ngujuar. I kemi evidentuar këto raste për t’i ndërprerë rrugën azilkërkuesve të rremë që nisen nga ky qark”, tha Llalla.

Ndërsa ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Cannon preku një tjetër shqetësim që ka lidhje me harmoninë fetare.

“Një nga traditat më të rëndësishme shqiptare është harmonia fetare, të cilën ju duhet ta mbroni. Por kohët e fundit ajo është dëmtuar për shkak të personave që predikojnë për të shkuar për të luftuar për xhihadin në Siri. Edhe Papa vetë e ka theksuar harmoninë fetare që ekziston në Shqipëri dhe ajo duhet mbrojtur nga këto fenomene. Duket se deri tani strukturat shtetërore e kanë luftuar këtë dukuri në mënyrë efikase. Por është një luftë që kërkon bashkëpunim ndërkombëtar dhe shkon përtej kufijve të një shteti”, deklaroi Cannon.

Top Channel